Milani po kalon një moment shumë të mirë dhe vazhdon të kryesojë Serie A. Kuqezinjtë nuk shkëlqyen ditën e djeshme përballë Udineses, por ia dolën të fitonin 1-2, duke u rikthyer në Milano me tre pikë tepër të rëndësishme.
Fitore të tilla tregojnë se skuadra e Piolit po fiton pjekurinë e duhur. Drejtuesit e “Djallit” vazhdojnë punën në shumë fronte, teksa një nga objektivat është rinovimi me Franck Kessie, mesfushorin nga Bregu i Fildishtë.
“Presidenti“, siç thirret nga shokët e skuadrës, është një nga lojtarët më të dalluar në epokën post-pandemi. 23-vjeçari ka dhuruar performanca fantastike dhe është kthyer në një pikë kyçe në mesfushën e Milanit.
Kontrata e tij përfundon në verën e vitit 2022 dhe Milannews.it raporton se dyshja Maldini-Massara do të nisin shumë shpejt bisedimet në lidhje me zgjatjen e bashkëpunimit. Kessie është kthyer lojtari që ishte tek Atalanta dhe Pioli nuk mund të bëjë më pa të në mesin e fushës.
Ndeshjet fantastike (2 gola ka shënuar sezonin e ri në kampionat) kanë ndikuar që klubi i famshëm italian të tentojë rinovimin e kontratës, për të mos u gjetur në një situatë të ndërlikuar si ajo me turkun Calhanoglu apo portierin Donnarumma. /abcnews.al