Emigracioni, dorëzohet Trump

schedule22:55 - 20 Qershor, 2018

schedule 22:55 - 20 Qershor, 2018

Presidenti Trump është dorëzuar përpara kritikave në adresë të politikave të tij për emigracionin, duke firmosur një urdhër ekzekutiv që ndërpret praktikën e ndarjes së fëmijëve të emigrantëve nga prindërit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka firmosur të mërkurën një urdhër ekzekutiv që garanton ruajtjen e unitetit familjar të emigrantëve. Lëvizja e kreut të shtetit vjen pas valës së kritikave që ranë mbi Shtëpinë e Bardhë për shkak të ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre.

Trump ka deklaruar se pamjet e fëmijëve që u merreshin prindërve ndikuan në vendimin e tij. Më herët, presidenti republikan u kishte bërë thirrje ligjvënësve që të miratonin një draft që i jep fund ndarjes së familjeve. Sidoqoftë, Trump nuk do të tërhiqet nga përforcimi i ligjeve për emigracionin ilegal.

“Nuk më pëlqen të shoh familje që ndahen, por administrata do të vazhdojë politikën e saj me tolerancë zero”, ka thënë Trump.

Zëvendëspresidenti Mike Pence dhe sekretarja e Departamentit për Sigurinë e Brendshme, Kirstjen Nielsen, që kanë qenë fytyra e politikave radikale të Shtëpisë së Bardhë, ishin të pranishëm për firmosjen e urdhërit.

Më herët gjatë së mërkurës kryetari i grupit parlamentar republikan, Paul Ryan deklaroi se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të enjten një legjislacion për të mbajtur familjet të bashkuara.

 “Ne nuk dëshirojmë që fëmijët të ndahen nga prindërit dhe mund t’i forcojmë ligjet kundër emigracionit pa e bërë këtë”, tha Ryan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!