Nga Erblina Mile
Ekonomia e Shqipërisë është ndikuar direkt nga pandemia e koronavirusit. Në një vlerësim të fundit të agjencisë së vlerësimit të riskut Moody’s konstatohet se vlerësimi për ekonominë tonë ka mbetur i pandryshueshëm në nivelin stabël “B1”. Por përtej kësaj në raport ngrihen një sërë problematikash. Sipas raportit të Moody’s financat publike do të përkeqësohen dhe borxhi parashikohet të tejkalojë nivelin prej 80%në vitin 2020.
Ndërkohë që recensioni i ekonomisë parashikohet të jetë në nivelin 7,1% ndërsa parashikohet të rikthehet rimëkëmbja gjatë vitit të ardhshëm me 5%. Disa faktorë që parashikohet të ndikojnë në këtë situatë janë niveli i eksporteve i cili ka pësuar rënie drastike gjatë kësaj periudhe, klima e dobët e të bërit biznes por edhe reformat strukturore të cilat nuk quhen të përfunduara pavarësisht masave të mara për përmirësimin e performancës si kërkesa kundrejt anëtarësimit në BE-së. Gjithashtu, Agjencia vlerëson se konsolidimi fiskal pritet të rifillojë vitin e ardhshëm.
Rritja e të ardhurave dhe përmirësimi i cilësisë së shpenzimeve do të jenë thelbësore për rikrijimin e hapësirave fiskale, pas goditjes së koronavirusit. Por gjithçka mbetet e paqartë duke marrë parasysh rëndimin e situatës së pandemisë e cila po njeh shtim të ndjeshëm të rasteve të të prekurve me Covid-19. Kjo ka krijuar paqartësi dhe sipas institucioneve financiare e le ende të papërcaktuar mirë ecurinë e ekonomisë në vend./ db/Abcnews.al