Nga Erblina Mile
Pandemia COVID-19 ka rrënuar edhe tregun e pasurive të patundshme në Shqipëri. Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë ka nxjerrë në pah se në në 6 mujorin e parë të këtij viti shitjet kanë rënë me 37%.
Frika dhe pasiguria për të ardhmen duket se ka stopuar edhe ato marrëveshje që kanë qenë pranë finalizimit si për individë ashtu edhe për biznese. Agjentët imobiliarë raportojnë pjesa më e madhe e objekteve që janë shitur janë realizuar me një çmim midis 5% deri në 20% më të ulët nga çmimi fillestar i kërkuar.
Interesant është fakti që 35% e banesave dhe pronave agjentët raportojnë se janë shitur shtetasve me rezidencë jashtë Shqipërisë.
Rreth 1/3 e këtyre blerësve raportohen si rezidentë në Bashkimin Evropian. Agjencitë imobiliare ndër të tjera raportojnë se ka pasur një rritje edhe të kohës që duhet për shitjen e një banese ose njësie tregtare me rreth 1 muaj e gjysmë më shumë. Agjentët raportojnë kërkesë në rritje për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare.
Në linjë me rritjen e kërkesës, agjentët raportojnë rritje të çmimeve të qirasë. Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës. Por pritshmëritë mbeten më negative edhe për pjesën e mbetur të vitit ku vihet re një rënie e konsiderueshme e pronave të regjistruara për shitje. Pjesa më e madhe e shitjeve në tregun imobiliar në Shqipëri është realizuar me hua bankare e cila mbulon rreth 80% të vlerës. /abcnews.al