Në Britaninë e Madhe pritet të bëhet një mbyllje e dytë e vendit në javën e ardhshme, por Premier League do të vazhdojë sërish të luhet. Kryeministri Boris Jonhson pritet që të shpallë kufizimet e reja nga momenti në moment, por sipas raportimit të “The Athletic”, ato nuk do ta kushtëzojnë vazhdimin e futbollit në ishull.
Edhe pse shumë lojtarë kanë rezultuar pozitiv në ditët e fundit, ata po ndjekin protokollin mjekësor dhe deri më tani kjo nuk ka qenë një problem për klubet angleze. ‘Ne nuk e shikojmë të rrezikshme të vazhdohet të luhet me dyer të mbyllura.
‘Projekti Restart’ po funksionon dhe ne jemi të lumtur. Gjithashtu edhe qeveria është e lumtur dhe kështu besoj se do të vazhdojmë përpos një mbyllje të dytë”, deklaron shefi ekzekutiv i Premier League, Richard Masters.
E vetmja gjë negative është tek rikthimi i tifozëve. Siç ka ndodhur që nga qershori që është luajtur me dyer të mbyllura, ashtu pritet të vazhdojë të paktën deri në fundin e këtij viti. Para pak kohësh kishte shpresë për rikthimin e tyre në shkallët e stadiumeve në datën 1 tetor, por situata në Angli sa vjen dhe përkeqësohet. /abcnews.al