Shorti i Champions League, Kukësi luan ndaj skuadrës malteze

schedule15:39 - 19 Qershor, 2018

schedule 15:39 - 19 Qershor, 2018

Kukësi do të luajë ndaj Valetës së Maltës në turin e parë eleminator të Championsit. Një short pozitiv për nënkampionen e Shqipërisë.

Mbi supe ka një barrë të madhe. Kukësi do të duhet të zëvendësojë Skënderbeun në Champions këtë sezon, një detyrë aspak e vogël, ndonëse shorti e ndihmoi.

Valeta e Maltës ishte kundërshtari që doli nga goglat dhe nga vazot në Nion të Zvicrës, për turin e parë eleminator. Një rival jo i lehtë, por i kalueshëm për standardet e futbollit shqiptar, dhe jo vetëm të Skënderbeut, por edhe të Kukësit.

Valeta fitoi sezonin e kaluar edhe titullin kampion, si dhe Kupën e Maltës. Ajo ka një histori të gjatë në kupat e Europës, që nis prej vitit 1963.

Ka luajtur plot 90 ndeshje, përfshi edhe ato në Kupën Intertoto, ku është eleminuar nga Teuta e Durrësit në vitin 2002. Valeta është kualifikuar gjithsej 6 herë, kryesisht ndaj ekipeve nga San Marino, Andorra apo Ishujt Faroe dhe vetëm një herë përballë Berri Taunit të Uellsit.

Kukësi, ndërkaq, është ekipi më i mirë shqiptar në kupat e Europës, pas Skënderbeut, duke arritur të kalojë disa ture radhazi. Sezonin e kaluar, u eleminua pa fat ndaj Sherifit të Moldavisë po në Champions.

Ndeshja e parë, Kukësi-Valeta, do të luhet në Shqipëri në 10 ose 11 Korrik, ndërsa e kthimit në Maltë, në 17 ose 18 Korrik./abcnews.al