Floresha Rasha me fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha së bashku me djalin e familjes Dumani, Endri Dumani janë shqiptarët që u nxorën nga kampi famëkeq “Al Hol” dhe që për momentin ndodhen në Bejrut në pritje për të mbërritur nesër në Rinas. Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Liban për të sjellë në shtëpi 4 fëmijët dhe gruan.
“Jam i lehtësuar sepse ky ishte një operacion i komplikuar më vjen mirë, kam kontaktuar dhe me drejtuesit e operacionit dhe gjeneralin e që kanë shumë merita në këtë proces. Falenderoj dhe drejtorin e antiterrorit që për 30 ditë ka bërë përpjekje të vazhdueshme, po ashtu edhe konsullin këtu për lidhjet që janë jo aq të lehta, sepse në këtë proces ishin shumë faktorë. Bashkë me fëmijët tani do kthehemi në Tiranë. Kemi ngritur rrjetin e nevojshëm për ti trajtuar më kujdes.
E ëma e fëmijëve të vegjël është në gjendje të vështirë ka plagë në trup, por do vij me ne. E rëndësishme se ky operacion i hap rrugën fazës tjetër. Tani presim sinjalin e fundit për të marrë dhe të tjerët” tha Rama, raporton Tch. Nga i njëjti kamp u riatdhesua edhe vogëlushi shqiptar Alvin Berisha, ngjarje e cila bëri bujë disa muaj më parë. Një pjesë e mirë e vendeve i kishin tërhequr qytetarët e tyre nga kampi në fjalë, ndërsa shqiptarët mbetën aty deri ditën e sotme. Pritet që në ditët në vijim të bëhet edhe transferimi i të tjerëve./ db/Abcnews.al