Nga Enkeleda Bodini
Adoleshenca është mosha ku të gjithë ne, me zgjedhjet që bëjmë, i japin drejtim jetës tonë në aspektin profesional. Zgjedhim jo vetëm degën që do të ndjekim në universitet, që më pas do të jetë profesioni ynë, por edhe vendin ku do të studiojmë që është jo më pak i rëndësishëm.
Të rinjtë shqiptarë, thuajse të gjithë, dëshirojnë të studiojnë jashtë. Por, për një arsye apo një tjetër, dëshira nuk plotësohet. Po këto arsye, nuk e ndalën Ilva Marcelin, vajzën me të cilën abcnews.al do ju njohë sot, që ajo të studionte në Itali dhe të bëhej çfarë më së shumti donte në jetë.
Ilva Marceli ka lindur në qytetin e bukur të Shkodrës.
Ëndrra e saj ishte të studionte në Itali dhe e realizoi. Në moshën 17-vjeçare, menjëherë pas mbarimit të shkollës së mesme, ajo u largua drejt “tokës së huaj”, për të nisur një jetë të re. Ajo u vendos në qytetin e Bergamos, ku pas kaq vitesh jeton edhe sot, sepse është tashmë si Shkodra e saj e dytë.
Ilva nisi studimet e larta për Ekonomi Biznesi dhe është specializuar në Ekonomi dhe Inovacion për menaxhim të organizatave publike dhe jo publike. Aktualisht punon në një bankë, në Bergamo.
Si të gjithë që lënë atdheun e tyre për një të ardhme më të mirë, edhe Ilva ka pasur vështirësitë e saj në Itali.
“Unë isha mësuar të jetoja me ngrohtësinë e familjes time. Isha mësuar me gjërat e mia, me aktivitetet e mia. Dhe largimi, sado i dëshiruar ishte, nuk ka qenë i thjeshtë. Jetoja në një vend ku ritmi i jetës ishte ndryshe, ku më shumë se kurrë ndjeja nevojën të përshtatesha. Por e pashë si sfidë ndaj vetes, sepse jam një person që më pëlqejnë gjërat e reja. Dhashë maksimumin tim dhe ia ka vlejtur. Eksperienca më ka dhënë shumë si nga ana personale ashtu dhe nga ana profesionale”, u shpreh Ilva për abcnews.al.
Përveç punës, Ilva ka themeluar një atelier riciklimi të quajtur “Recycle Concept”. Ajo e ka hapur laboratorin në Shqipëri në dhjetor të 2012 me emrin “Mary Poppins”. Fillimisht ideja ka qenë e një atelie që prodhonte bizhuteri dhe çanta me produkte të riciklueshme, duke filluar nga plastika tek alumini etj. Jo vetëm kaq, ata gjithashtu merrnin rroba nga klientët dhe i transformonin ato duke iu shtuar detaje nga produktet e tyre të riciklueshme që u jepnin jetë veshjeve.
“Laboratori në Shkodër ishte sit ë futeshe në një botë tjetër (të paktën këtë më thonin klientët). Isha shumë e lumtur me atë që kisha ndërtuar në vendin tim të lindjes, por fatkeqësisht nuk arrita ta mbaja dhe m’u desh të kthehesha në Itali”.
Laboratori u mbyll, por kur një gjë e do fort, mbyllja nuk është kurrë përfundimtare. Ilva e rihapi sërish, por duke i ndryshuar emrin nga “Mary Poppins” në “Recycle Concept”.
“Jam përqendruar në studimin e plastikës dhe në riciklimit të saj. Plastika është një material shumë i dëmshëm për natyrën, por edhe një material fantastik nëse dimë si ta përdorim”, tha Ilva.
Krijimet e saj janë kaq unike saqë të bëjnë të dashurohesh me to. Unike në stil, në formë dhe në ngjyra. Krijime të tilla, me materiale të riciklueshme janë kthyer në një trend shumë të pëlqyer nga njerëzit që e duan natyrën dhe përpiqen me çdo formë, që atë të cilën ti e ke hedhur në plehra ta kthejnë në art. Bota kjo është, por mënyra sesi të gjithë e shikojmë dhe perceptojmë është e ndryshme.
Materialet e krijuara nga Ilva janë vlerësuar nga galeristë të njohur, përfshirë këtu dhe nga Rossana Orlandi, një fanatike e artit të plastikës. Ajo gjithashtu ka lidhur kontrata me shumë dyqane në qytete të ndryshme të Italisë, që shesin këtë art.
Shumë shpejt do të kemi dhe një ekspozitë ku do të shohim krijime fantastike, të ideuara nga pasioni për të bukurën dhe dëshira për të mbrojtur natyrën. Gjithashtu Ilva tha për abcnews.al se ka dëshirë të realizojë dhe një ekspozitë në Shqipëri, aty ku i ka dhe rrënjët laboratori.
Për Ilvën, Shqipëria është shtëpia e saj e parë, baza e personalitetit dhe në të ardhmen e sheh si mundësi kthimin në atdhe, për të punuar dhe kontribuar aty ku jeta e saj nisi.
“Do të doja të kthehesha në Shqipëri, me shumë dëshirë. Dua që të punoj me të rinj dhe të ndaj eksperianca me ta. Dua t’i bëj ata ta duan planetin ku jetojmë”.
Ilva është një person që ka treguar me punën që bën, se e do shumë natyrën dhe mesazhi i saj për të rinjtë është po për natyrën, ta duan dhe respektojnë atë.
“Të rinjtë duhet ta duan natyrën dhe çdo ditë të bëjnë sado pak për ta mbrojtur atë. Nëse bëjmë çdo gjë me entuziazëm dhe konstancë, dhe do ta shikoni se do të kemi një jetë të shëndetshme”, u shpreh Ilva.
Si Ilva, që duke përdorur produkte të riciklueshme bën art dhe në të njëjtën kohë mbron natyrën, ka shumë. Dhe sot, është emergjente të mbrojmë planetin ku jetojmë. Kontributi juaj mund të duket i vogël, por nëse të gjithë bëjmë nga pak, diferenca do të jetë e madhe./abcnews.al