Lebron Xhejms provoi një rol të ri në fushën e lojës, por kjo nuk e pengoi që të ishte sërish më i miri. Ylli i Klivlendit ishte vendimtar në fitoren ndaj Çikagos në basketbollin amerikan. Një sportist i madh i bën të gjitha. Këtë e kishte parasysh trajneri i Klivlendit, Lu, kur e vendosi në një pozicion të pazakonshëm, Lebron Xhejmsin. I mbiquajturi “Mbreti”, dha përgjigjen që pritej dhe nënkampionët e NBA-së fituan në fushën e tyre ndaj Çikagos, 119-112. Xhejms luajti në pozicionin e organizatorit, një nga rastet e rralla që e bën, por duke treguar se ia del më së miri. Nuk është diçka e vogël për një basketbollist me shtatlartësi 2.03 metra dhe, sidomos me konstruktin e tij fizik masiv, me peshë 118 kg. Klasi, gjithsesi, kapërcen çdo pengesë sidomos kur flitet për numrin 1 të kësaj loje në botë. Lebron shënoi 34 pikë në 37 minuta që ishte në fushë, dha 13 asistë siç i takon një orgaizatori, si dhe vodhi 3 topa ndaj kundërshtarëve. Duke qenë larg tabelave, mundi të kapte vetëm 2 topa nën to, por Xhejms nuk ishte në fushë për të zotëruar koshin. Kevin Lov ishte ndihmuesi i tij kryesor, me 20 pikë e 12 topa në tabela, ndërsa Duejn Uejdi i ardhur nga Majemi shtoi 11 pikë, duke e nisur ndeshjen nga stoli. Çikago nuk luajti aspak keq, por nuk përballoi dot ofensivën e Kavaliersëve në pjesën e tretë. Bullsat shënoi 17 kosha tripikësh, shifra më e lartë e sezonit, ndërsa Holidei shënoi 25 pikë e Markanen 19. Këtë sezon, nuk është aspak e lehtë për trajnerin e Klivlendit, Lu, të krijojë një ekip të qendrueshëm, për shkak të largimeve e afrimeve të lojtarëve dhe dëmtimeve, por sa kohë që në parket është Xhejms, problemet kalohen më shpejt. Ndoshta, edhe pas ikjes së Kajri Irvingut, nënkampionët mund të pretendojnë titullin.
Lebron Xhejms luan si organizator, siguron fitoren e Klivendit
schedule14:17 - 25 Tetor, 2017
schedule 14:17 - 25 Tetor, 2017