Conte e Macron lënë pas polemikat/ Takimi në Paris, dy liderët bien dakord

schedule19:36 - 15 Qershor, 2018

schedule 19:36 - 15 Qershor, 2018

Giuseppe Conte dhe Emmanuel Macron kanë lënë pas polemikat dhe kanë rënë dakord se kriza e emigracionit kërkon një zgjidhje në nivel europian. Gjithashtu, dy liderët janë shprehur pro ndryshimit të marrëveshjes së Dublinit.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë ulur tensionet e ngritura në ditët e fundit mes dy qeverive, lidhur me çështjen e emigrantëve. Në takimin e zhvilluar të premten në pallatin Elize, në Paris, kreu i qeverisë italiane ka propozuar ngritjen e pikave për kontrollin e emigrantëve në vendet e origjinës. Conte ka kërkuar aktivizimin e propozimit të tij në një periudhë të shkurtër, në kuadër të kërkesës së Italisë për ndryshimin e rregullores së Dublinit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Macron është shprehur në të njëjtën linjë me mysafirin e tij.

“BE është i përçarë sa i përket çështjes së emigrantëve, por edhe asaj të euros. Duhen reforma për t’u përballur me sfidat”, ka thënë Macron.

Sipas tij, Franca, sikurse dhe Italia, duhet ta menaxhojnë krizën e emigracionit së bashku me vendet e tjera. “Duhet të përgatisim përgjigje në nivel europian, nuk mund të vazhdohet më me reagime individuale”, ka vijuar Macron.

Presidenti është shprehur optimist për reformimin e marrëveshjes së Dublinit, pasi sipas tij, sistemi aktual nuk po funksionon.

Në të njëjtat linja është shprehur edhe Conte. “Marrëveshja e Dublinit duhet të ndryshojë. Italia është kundër rregullave të saj dhe po përgatit një propozim, që mezi pret t’ua tregojë partnerëve europianë”, ka thënë Conte.

Ai i është kthyer edhe polemikave të shkëmbyera mes dy vendeve lidhur me rastin e anijes “Aquarius”. “Ka patur pa turbolencë në ditët e fundit, por me Macron kemi gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shtuar Conte. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!