Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot në Devoll ku ka vizituar edhe shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agolli.
Kreu i Shtetit thotë se në takimin që pati edhe me kryebashkiakun e Devollit, i kërkoi atij që të vijohet pa vonesa projekti i restaurimit të godinës për ta kthyer në shtëpi muze, në mënyrë që 90-vjetori i Agollit ta gjejë plotësisht funksionale për të mirëpritur vizitorët e shumtë.
Postimi i Presidentit:
Sa herë e vizitoj Devollin, e kam të pamundur të mos ndalem në Menkulas, vendlindjen e Dritëroit tonë të dashur e të paharruar, për t’u përshëndetur me banorët dhe për të ndarë me ta kujtimet tona të shtrenjta për patriarkun e letrave shqipe.
Vizitova godinën e caktuar për t’u kthyer në shtëpi-muze dhe e inkurajova Kryetarin e Bashkisë, Eduart Duro për të vijuar pa vonesa projektin e restaurimit të plotë të saj me qëllim që vitin e ardhshëm, 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit tonë të madh, ta gjejë plotësisht funksionale për të mirëpritur vizitorët e shumtë.
Devolli i dha Shqipërisë Dritëroin, por edhe shumë Dëshmorë, personalitete dhe arsimtarë si mësuesja Luiza Dule, shembuj të përhershëm frymëzimi dhe krenarie për devollinjtë e të gjithë kombin tonë.