Cassius Vinicius Coelho, ose thjesht Cassius, ishte një nga lojtarët e zyrtarizuar këtë verë te Vllaznia. Qendërmbrojtësi firmosi, por më pas drejtuesit e klubit shkodran nuk u bindën nga cilësitë e 25-vjeçarit dhe për disa kohë negociuan për ndërprerjen e kontratës.
Cassius ka firmosur me FC Sfintul Gheorghe, skuadër që garon në elitën e futbollit moldav dhe aktualisht renditet në vendin e tretë në kampionat. Braziliani për herë të parë në Europë zbarkoi në Moldavi në vitin 2018 dhe iu bashkua skuadrës së Zimbru.
Në moshë të re, Cassius ka qenë pjesë e skuadrave të Serie A në Brazil, si Portuguesa dhe Santos, por pa mundur të debutojë. URT, Gremio Anapolis dhe Anopolina janë ekipet e tjera me të cilat është aktivizuar mbrojtësi brazilian.
Sezonin e shkuar ai ka provuar edhe një eksperiencë në ligën e tretë portugeze, me skuadrën e Amora. Te Vllaznia nuk bindi dhe tashmë është zyrtarizuar sërish në Moldavi. /abcnews.al