Ditën e nesërme pritet të zhvillohet përballja e shumëpritur mes Real Madridit dhe Barcelonës. Të dyja ekipet vijnë në këtë duel nga dy disfata në kampionat, ndërsa madrilenët u shokuan dhe në Champions League nga Shakthar Donetsk në shtëpi. Trajneri i Realit, Zinedine Zidane, ka folur në konferencën virtuale se çfarë pret nga ndeshja me Barcelonën si dhe për dy humbjet radhazi të ekipit të tij.
“EL CLASICO” – “E dimë se do të luajmë në një stadium të boshatisur dhe kështu është për të gjithë ekipet. Është një El Clasico ndryshe, por sërish mbetet një Clasico dhe është diçka speciale. Është shumë e rëndësishme për ne që ta fillojmë ndeshjen me këmbën e mbarë. Duam të zhvillojmë një ndeshje të mirë. Kjo është një mundësi shumë e mirë për në për ta kthyer përmbys situatën e vështirë që po kalojmë”.
BARCELONA – “Ata gjithmonë kanë qenë të fortë, kompetitiv dhe dinë shumë mirë se si të luajnë futboll të bukur. Katalanasit mund ta vështirësojnë ndeshjen në çdo moment. E di shumë mirë se na pret një ndeshje e vështirë nesër, por kjo do të na bëjë mirë neve”.
SERGIO RAMOS – “E dimë që ai është kapiteni, lideri jonë dhe prandaj nuk duam që ta rrezikojmë. Sergio është rikuperuar dhe do të udhëtojë me ne. Është rreth 100% gati dhe besoj se do të jetë i gatshëm për të luajtur”.
HUMBJET NDAJ CADIZ DHE SHAKHTAR – “I kemi filluar që të dyja ndeshjet në mënyrë të gabuar, pasi pësuam gol që në fillim. Më pas e kishim shumë të vështirë për t’i ngritur kokat lart. Nuk e kemi patur të lehtë të luajmë kundër një ekipi që qëndron mbrapa, por ky është futbolli dhe duhet t’i pranojmë uljet dhe ngritjet që kemi. Tashmë duhet të fokusohemi tek sfida e nesërme dhe t’i harrojmë ato që kanë ndodhur”, mbyll Zidane. Kujtojmë që dueli mes Real Madrid dhe Barcelonës pritet të zhvillohet nëser në orën 16:00 në “Camp Nou”.