Franca vendosi mbylljen edhe në 38 rajone të tjera duke i shtrirë masat shtrënguese kundër koronavirusit. Ora policore tani, përfshin 54 rajone, një mase qe prek 46 milion francezë. Kryeministri Jean Castex në një konferencë të posaçme shtypi, njoftoi rregullat e reja, duke cilësuar situatën e pandemisë si shumë serioze dhe shqetësuese.
Ai bëri të ditur se kufizimet do të fillojnë nga ora 9 e darkës dhe do të zgjasin deri në 6 të mëngjesit në të gjithë territorin për gjashtë javë. Këto rregulla do të hyjnë në fuqi nga mesnata e së Premtes. Çdo person që kërkon të lëvizë gjatë kësaj periudhe kohore, duhet pajiset me autorizim nga autoritetet përkatëse. 135 euro do të jetë gjoba për cilindo që shkel këtë urdhër dhe 3750 euro nëse kapet për herë të dytë. Rreth 12 mijë oficerë policie dhe xhandarësh përveç ekipeve të policisë bashkiake, janë vendosur për të zbatuar shtetrrethimin fillestar.
Numri i rasteve të konfirmuara me Covid u rrit afro 40 %. “Qarkullimi i virusit është në një nivel jashtëzakonisht të lartë,” tha Castex. Ai gjithashtu paralajmëroi që Nëntori do të jetë edhe më i vështire pasi numri i viktimave pritet të jetë i lartë si rezultat i valës së dytë të pandemisë.”Shërbimet spitalore do të vihen në provë”, tha Kryeministri.
Ministria franceze e shëndetësisë raportoi 32,427 raste të reja brenda 24 orësh duke vendosur kështu një rekord të ri. Ndërsa numri i pacientëve të shtruar në terapi intensive për herë të parë që nga maji, ka arritur në mbi 2,000 këtë jave. 166 të infektuar kanë humbur jetën 24 orët e fundit ndërsa që nga fillimi i pandemisë Franca ka patur mbi 34,000 viktima për shkak të Covid-19./abcnews.al