Kim: “5 qershori” model, por nuk u shkel! Përfaqësoj SHBA, jo PS, si duhet të vendoset Meta

schedule22:26 - 22 Tetor, 2020

schedule 22:26 - 22 Tetor, 2020

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese të miratuara në Ligjin Zgjedhor përtej 5 qershorit nuk e kanë shkelur marrëveshjen e palëve politike. Duke folur në Opinion, Kim tha se është zhgënjyese që pjesa e dytë e reformës zgjedhore nuk u miratua në tryezën e përbashkët dhe për këtë bëri përgjegjësi opozitën jashtëparlamentare e cila nuk ishte e pranishme në parlament.

“Mendoj se deklarata që nxori Ambasada e SHBA ishte shumë e qartë, pra që metoda me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit ishte një mënyrë e mirë dhe që duhet të ishte përdorur si model për marrëveshjet në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ne nuk mund të mohojmë kompetencën e parlamentit për të miratuar legjislacion. Lidhur me pyetjen nëse 5 qershori u shkel apo jo, njerëz të ndryshëm kanë opinione të ndryshme. Nëse më pyet mua… Edhe opinioni im është shumë i qartë për këtë. Ajo që ndodhi përtej 5 qershorit shkon përtej 5 qershorit, por nuk e shoh si shkelje të 5 qershorit.

Mendoj se është shumë zhgënjyese që pjesa e dytë e reformës zgjedhore nuk u arrit në të njëjtën mënyrë, sepse pjesa e parë, 5 qershori u bë mirë. Dhe duhet të ishte përsëritur. Mendoj se është diçka e pafat që opozita kryesore nuk ishte e pranishme në parlament dhe mendoj se kjo nënvizon përgjegjësinë e cilitdo për të mbetur i angazhuar”, tha Yuri Kim.

Por ndalur tek aludimet se ndërkombëtarët qëndrojnë në krah të qeverisë, Kim tha se ky është një keqkuptim pasi, ajo është dërguar nga presidenti i SHBA për të përfaqësuar qeverinë dhe vendin e saj.

“Unë mendoj se ky është një keqkuptim i diplomacisë. Si diplomate, në rastin tim, më ka dërguar Presidenti i Shteteve të Bashkuara që të përfaqësoj qeverinë time dhe vendin tim dhe, kuptimi i kësaj është që, në radhë të parë, angazhohem me qeverinë që është zgjedhur në mënyrë legjitime, apo jo? Kjo përfshin Kryeministrin, Presidentin, por përfshin edhe pjesën tjetër të vendit, pra flas me qytetarë të zakonshëm, flas edhe me opozitën. Nuk është mbajtje ane. Nuk është kjo ajo që bëjmë”, tha Kim.

Ndërkohë lidhur me rolin e presidentit Ilir Meta në përballjet politike, ambasadorja u kthye pas në kohë kur kreu i shtetit bëri bashkë në një tryezë Këshillin e Sigurisë Kombëtare kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha. Ky, tha Kim, duhet të jetë modeli që kreu i shtetit duhet të ndjekë.

“Një pikë shumë me vend. Mendoj se ka një rol shumë unik dhe shumë të rëndësishëm që presidenti mund të luajë si bashkues i vendit. Dhe kur e luajti atë rol në fillimet e pandemisë Covid19 dhe thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke bërë bashkë jo vetëm Kryeministrin por edhe udhëheqësin kryesor të opozitës, mendova se ishte një shembull vërtet i fuqishëm dhe pozitiv. Dhe shpresoj që kjo është diçka që do ta përsërisë. E di që ky është një rol që do ta vlerësonte populli shqiptar. Di që është një rol që Uashingtoni sigurisht e vlerëson, ndaj pres me kënaqësi ta shoh të luajë një rol shumë pozitiv”, u shpreh Yuri Kim./mv. abcnews.al