Rusi 2018, shërbimet sekrete amerikane paralajmërojnë tifozët

schedule22:28 - 13 Qershor, 2018

schedule 22:28 - 13 Qershor, 2018

Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë paralajmëruar tifozët që udhëtojnë në Rusi për të ndjekur botërorin se mund të sulmohen nga hakerat rusë. Autoritetet u kanë bërë thirrje udhëtarëve që të mos e nënvlerësojnë rrezikun.

Agjencitë amerikane të spiunazhit kanë paralajmëruar tifozët që do të udhëtojnë në Rusi për të ndjekur Kupën e Botës që të mos marrin me vete pajisjet elektronike, pasi rrezikojnë të bien pre e sulmeve kibernetike. Zyrtarë të agjencive kanë deklaruar se tifozët mund të vihen në shënjestër nga organizatat kriminale ose qeveria ruse dhe u kanë bërë thirrje atyre që të mos e nënvlerësojnë rrezikun. Sipas burimeve, turistët që marrin me vete laptop, tableta apo pajisje të tjera elektronike mund të sulmohen nga hakerat për t’iu vjedhur identitetin dhe të dhënat personale. Përfaqësuesit e korporatave, por edhe zyrtarët qeveritarë janë më të rrezikuarit, paralajmërojnë autoritetet amerikane, që ftojnë udhëtarët të mos marrin mjetet e zakonshme me vete dhe t’u heqin baterinë gjatë kohës që nuk i përdorin. Apeli i krerëve të shërbimeve të inteligjencës vjen në një kohë kur Departamenti i Drejtësisë dhe Kongresi po hetojnë ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Një alarm të ngjashëm kanë dhënë edhe agjencitë britanike të sigurisë, që përveç tifozëve që do të udhëtojnë për të parë ndeshjet ka paralajmëruar edhe vetë kombëtaren angleze të futbollit që konkurron në Kupën e Botës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!