Pontrelli: Situatë absurde, kemi vetëm 4 trofe të Dinamos! Bojkoti po na dëmton

schedule18:58 - 21 Tetor, 2020

schedule 18:58 - 21 Tetor, 2020

Dinamos i kanë humbur trofetë e fituar gjatë historisë. Presidenti i klubit kryeqytetas, Marco Pontrelli, deklaron për ABC News se zotëron vetëm 4 kupa, teksa i bën thirrje dashamirësve që ta ndihmojnë për të rikthyer traditën.

Është padyshim ndër klubet më të mëdhenj. Për Shqipërinë, Dinamo cilësohet superfuqi në çdo sport, por sot legjendës së futbollit i mungon historia. Presidenti italian, Marco Pontrelli, lëshon alarmin se shumica e trofeve të titujve kampion, kupave e gjithçka tjetër, ka humbur.

Ne kemi bërë apel për këtë temë, sepse për mendimin tim është diçka e rëndësishme. Kjo, sepse bëhet fjalë për rrënjët e një klubi historik. Kemi nevojë të kthejmë në klub sa më shumë kupa, sepse po bëjmë një minimuzeum të Dinamos dhe kemi nevojë për material real, jo për fotokopje. Deri sot kemi gjetur 4 trofe, por duket se apelimi ynë ka krijuar ndjeshmëri, prandaj jam optimist“.

Dinamos i mungon jo vetëm historia muzeale, por edhe diçka po kaq e rëndësishme, në mos më e rëndësishme. “Dinamo ka nevojë për gjithçka që ka pasur në të kaluarën. Sipas informacionit që kam, Dinamo ishte një klub në pararojë që në vitet 80-të, kishte një qendër sportive të një niveli shumë të lartë. Do të ishte mëkat të mos e rindërtonim këtë markë historike.

Jam i bindur se dalëngadalë do t’ia dalim. Kemi marrë një qendër sportive që nuk është e përshtatshme për të gjitha skuadrat e Dinamos. Këtë vit kemi ekipin U21 dhe akademinë me 8 skuadra. Po përpiqemi të sistemojmë kompleksin në Arbanë, por na duhet qendër tjetër për akademinë“.

Pavarësisht gjithçkaje, a do të ngjitet Dinamo në Superligë?

– Objektivi është për këtë, por futbolli është mjaft kompleks. Ndonjëherë edhe kur ke 30 yje nuk fiton. Situata te Dinamo është mjaft e mirë, sepse kemi bërë një punë të madhe, kemi krijuar një skuadër të denjë për të përballuar kampionatin. Le të presim tani datën e fillimit dhe pastaj do ta shikojmë sesa punë të mirë kemi bërë.

Çfarë mendimi ka presidenti për konfliktin mes Ligës e qeverisë?

– Shpresoj që të dyja palët të qetësohen dhe të gjejnë akordin. Ne po penalizohemi nga kjo situatë, sepse kemi 2 muaj që përgatitemi. Ndoshta do të duhet të nisim gjithçka nga e para. Të mos flasim për problemin Covid-19, që e bën situatën edhe më të keqe. /abcnews.al