Shifrat e larta të të infektuarve me Covid në Çeki, ka bërë që autoritete përkatëse të marrin vendimin për vendosjen e një sërë masash kufizuese për vendin.
Në një konferencë për mediat kryeministri Andrej Babis ka theksuar se masat, që do t’i mbyllin të gjitha dyqanet jo të domosdoshme dhe do ta kufizojnë lëvizjen e njerëzve vetëm për qëllime të domosdoshme, si puna, familja apo blerja e ushqimeve, do të zgjasin së paku deri më 3 nëntor.
“Para së gjithash, ne duhet t’i mbrojmë jetët e qytetarëve”, tha Babis, për të shtuar se masat do të hyjnë në fuqi nga data 22 tetor.
Gjatë 24 orëve të fundit në Çeki është shënuar rekord të infektuarish ku janë konfirmuar pozitiv me Covid 11 984 persona. Ministri i Shëndetësisë, Roman Prymula, tha se parashikimet tregojnë se numri i rasteve të reja ka të ngjarë të arrijë kulmin rreth datës 11 nëntor.
Të mërkurën, zëvendëskryeministri çek, Jan Hamacek, i cili është po ashtu ministër i Brendshëm dhe udhëheqës i shtabit të krizave, që koordinon përpjekjet logjistike për të luftuar pandeminë, njoftoi se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Ndërkohë nga fillimi i pandemisë e deri më tani në Çeki janë konfirmuar pozitiv me Covid mbi 190,000 raste me koronavirus, ku mbi 120,000 prej tyre vetëm gjatë javëve të para të tetorit. e.su./abcnews.al