Vizita e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias u prit të martën me protesta në Tiranë nga aktivistë te Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe shoqatës Çamëria.
Ata kërkuan heqjen e ligjit të luftës me Greqinë dhe zgjidhjen e çështjes çame. Gjatë kësaj proteste pati të shoqëruar si dhe u vendosën gjoba për ata që u konstatuan pa maskë.
Ndër ata që përfunduan në komisariat ishte edhe Irtan Sejko i cili rrëfeu në studion e Abc e Mëngjesit se qëndroi në komisariat për 5 orë, edhe pse siç thotë ai, nuk bëri asgjë.
“Pesë orë në polici. Nuk bëra asgjë. Kam qenë në pjesën e parë të kordonit të policisë. Dhe, ajo që ishte interesante ishte që pjesa e parë e kordonit, shfaq atë që shfaq Rama në vetvete.”
Sipas Sejkos policët në pjesën e parë të kordonit, e provokonin turmën duke i gjuajtur në pjesën e poshtë të këmbëve, ndërsa nga lart dukej sikur nuk po bënin asgjë.
“Bënin goditje me gjunjë, poshtë këmbëve. Në sjelljen sipër dukej sikur nuk kishte asgjë. Provokonin njerëzit. Në një debat unë u thashë mos shty, se as po të shaj as po të ofendoj. Mu po më shtyn turma nga prapa. Në këtë moment dikush tërbohet nga ky reagim dhe fillon e më tërheq. Fronti i parë ndjek shëmbëlltyrën e Ramës.”
Nga ana tjetër, tregon Sejko, policia që e shoqëroi ishte tjetër. Sipas tij, ajo ishte policia që po mendonte të ikte në Gjermani dhe ta linte punën.
“Policia që më shoqëroi ishte polici tjetër. Ishte policia që kishte vite në policinë e shtetit dhe po mendonte të ikte në Gjermani. Jo dhunë masive. Kam qenë ndër të parët që jam shoqëruar në komisariat.”
Nga ana tjetër, profesori dhe juristi Jordan Daci tha se dje u shoqëruan mbi 24 persona. Sipas tij, me atë që ndodhi dje, dhe në shumë raste të tjera kohëve të fundit në vendin tonë nuk mund të flasim më për parime ligjore, apo për ligj.
“Dje pati mbi 24 persona të shoqëruar. Ka pasur të shpërndarë nëpër komisariate. Ajo që ndodhi dje, ka të bëjë me ligjin dhe me atë që në Shqipëri nuk ka mbetur më asgjë që mund të flasim për parime ligjore, për ligj. Bënë kërkesë për tubim. Kushtetuta e Shqipërisë e garanton të drejtën për të tubuar. Kur njerëzit dalin për të protestuar, ka të gjitha mënyrat e mundshme për të mbajtur maskat.”
Ndërsa, Sejko tregoi se para se të vinte policia, turma ishte e qetë. Po ashtu ai shtoi se ata kërkonin thjesht reciprocitet.
“Kërkonim dinjitetin po që po na mungon të gjithëve. Në këtë takim të tregonin dinjitet. Minimumi të kishte marrëdhënie reciproke. Kaq.” s.b/abcnews.al/