Bayern Munchen-Atletico Madrid është një nga përballjet më të forta në javën e parë të Champions League. Kampionët në fuqi presin djemtë e Diego Simeones në “Allianz Arena” të mërkurën në mbrëmje.
Trajneri i skuadrës bavareze, Hans-Dieter Flick mezi po e pret këtë sfidë, teksa konfirmon objektivin e ekipit të tij dhe ndalet te gjendja e Joshua Kimmich (nuk luajti në fundjavë përballë Arminia) në konferencën e zakonshme për shtypin.
“Mungojnë vetëm Sane dhe Nianzou, lojtarët e tjerë janë të gjithë në dispozicion dhe gati për ndeshjen me Atletico Madrid. Objektivi ynë nuk ndryshon, duam të fitojmë duke i marrë ndeshjet një nga një.
Është fantastike të luash ndeshjen e parë të sezonit të ri në Champions kundër një ekipi si ai i Diego Simeones. Ata kanë një ndër mbrojtjet më të forta në Evropë, por kanë edhe cilësi të tjera shumë të mira.
Duhet të luajmë afër njëri-tjetrit dhe të mos krijojmë distanca mes reparteve, duhet të tregohemi të aftë për t’i vënë nën presion. Kimmich? Joshua është shumë i rëndësishëm për stilin tonë të lojës.
Gjithsesi, e dimë sesa i rrezikshëm mund të jetë një tjetër dëmtim për të, kështu që duhet të presim ditën e nesërme për të kuptuar më mirë situatën e tij. Nesër vendosim nëse do të luajë apo jo“, deklaron Flick. /abcnews.al