Mister zhdukja e shqiptares në Greqi, dëshmitarët: E pamë duke qarë, i ra të fikët

schedule16:34 - 20 Tetor, 2020

schedule 16:34 - 20 Tetor, 2020

19-vjeçarja shqiptare Artemis Vasili prej pesë ditësh vijon që të jetë e zhdukur, ndërsa policia greke dhe familja ende nuk kanë rënë në gjurmët e saj.

Vajza u zhduk të premten në Koropi, teksa familjes i kishte thënë se po shkonte për të dhënë një intervistë pune, por nuk u kthye më.

Mediat greke citojnë disa dëshmitarë që janë shprehur se e kanë parë vajzën shqiptare në një gjendje të keqe psikologjike. Vajza është parë duke qarë e vetme në një rrugë kryesore të Athinës.

Tre janë dëshmitë. Konkretisht të shtunën në mëngjes një grua tha se e pa vajzën 19-vjeçare në një gjendje shoku dhe duke qarë e vetme në rrugë. Gruaja iu afrua vajzës dhe u përpoq ta ndihmonte ndërsa Artemis u largua.

Një tjetër dëshmitar deklaron se të hënën në mëngjes duke zbritur në stacionin e autobusit e pa 19-vjeçaren të trembur dhe duke ikur me nxitim. Gjithashtu një informacion tjetër erdhi se vajzës i kishte rënë të fikët në rrugë, por sapo ishin afruar njerëzit ishte shprehur se ishte mirë dhe ishte larguar.

Për herë të fundit vajzën me origjinë shqiptare e kapën kamerat duke shkuar në një stacion autobusi, ndërsa më pas janë vetëm dëshmitë e qytetarëve.

Babai i vajzës bëri edhe njëherë apel që kushdo që e shikon të kontaktojë me ta në mënyrë që kjo çështje të ketë një fund të lumtur./ db/Abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!