Dendias në Tiranë, PDIU e shoqata “Çamëria” protestë para MPJ: Takim i turpit

schedule09:21 - 20 Tetor, 2020

schedule 09:21 - 20 Tetor, 2020

Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias do të zhvillojë një vizitë zyrtare ditën e sotme në Tiranë.

Kryetari i shoqatës Çamëria “Hasan Tahsin”, Alket Veliu e ka quajtur takimin e sotëm si një takim i turpit. PDIU dhe shoqata “Çamëria” kanë paralajmëruar dhe një protestë në orën 11:00.

Veliu në një intervistë për “ABC-ja e mëngjesit” deklaroi se në këtë vizitë të ministrit të jashtëm grek do të respektohet vetëm agjenda greke dhe se qeveria shqiptare sipas tij nuk ka asnjë agjendë.

Lexo edhe: “Çfarë kërkon Athina?” Paskal Milo: Greqia s’mund të shtrihet 12 milje në kufirin detar me Shqipërinë

“Qeveria shqiptare duhet të ketë agjendën evropiane ku duhet të kërkohet heqja e ligjit të luftës diskutimi për çështjen çame dhe më pas çështja e detit. Nuk ka asnjë kuptim që dy vende anëtare të NATO-s të merren me diskutime të karakterit ekonomik, kur janë në gjendje lufte. Të hyjnë njëherë në gjendje paqe dhe më pas të fillojnë diskutime të tjera.

Në agjendën shqiptare duhet të jetë edhe çështja çame. Atje është zhvilluar një genocid të cilën qeveria greke nuk e njeh. Ne presim që qeveria greke të kërkojë një ndjesë publike dhe më pas të merret me zgjidhjen e kësaj çështje në të gjitha dimensionet e tjera.

Lexo edhe: “Siç e do Athina”, mediat greke: Vizitë vendimtare e Dendias në Shqipëri, në tryezë “Kufiri Detar”

Ne duhet të futemi në këtë vorbull, ku të diskutohet çështja e detit, kur kemi çështje më të rëndësishme për të zgjidhur. Sot me tubimin e thirrur, ne jemi për të kundërshtuar këtë takim të turpit që do të ndodhi sot. Ky është një takim i paralajmëruar para një muaji”, tha Veliu.

Ndërkohë profesori Paskal Milo i ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”  tha për gazetarin Enkel Demi se në gjithë historinë vendi ka qenë në pozicione inferiore, ndërsa u shpreh se sot vizita e ministrit të Jashtëm është “pas një ndërprerje relativisht të gjatë të kontakteve diplomatike midis dy ministrave sot rifillon dhe mirë është të rifillojë. Këto nuk janë çështje të reja, tani duhet të rifillojë procesi, nuk mund të paragjykojmë një proces që ka filluar ka vite dhe duhet të vazhdojë për të mirën e dy vendeve, nuk zgjidhen problemet pa u ulur në tavolinë”, tha Milo.

Gjatë bisedës, Alket Veliu tha se sensusi është një detyrim që e ka secili shtet dhe se sipas tij nuk ka pse ndërhyn një shtet tjetër fqinj për interesat e tij.

Sakaq protesta e thirrur nga shoqata “Çamëria” do të mbahet në orën 11:00 para Ministrisë së Jashtme.

/abcnews.al/