Shtyhet seanca sot në Gjykatën e Korçës për përllogaritjen e viteve të burgut për Myrteza (Zani) Caushin. Shtyrja e seancës u bë pas mungesës së drejtorit të Burgut të Drenovës.
Seanca e radhës do të zhvillohet më 29 tetor në orën 10:00.
Pas përfundimit të seancës Avokati i “Zanit të Vlorës”, Arben Lera, në një prononcim për mediat tha se, Ministrisë së Drejtësisë i nevojitet një program, i cili përllogarit me saktësi kohën e vuajtjes së dënimit.
Lera tha se duke proceduar si tani, është i mundur gabimi njerëzor dhe llogaritja e pasaktë e kohës së dënimit.
Sipas tij, gjyqi i Zani Caushit për përllogaritjen e kohës së dënimit nuk është i pari, ka patur edhe të tjerë, ndërsa theksoi se sipas ligjit, edhe për të dënuarit me burgim të përjetshëm, ekziston mundësia e lirimit me kusht.
LEXO edhe: “Njolla” që i komprometonte strategjinë! Heqja e masës disiplinore i hap rrugën Zani Caushit
“Seanca e sotme ishte procedurale, ishte seanca e hapjes së gjykimit ku paraqiten palët dhe pretendimet fillestare, dhe kërkesat e tyre për provat. Ne seancën e sotme mungonte përfaqësuesi i IEPV dhe për këtë arsye u shty seanca. Aktualisht jemi në kushtet kur duhet të ketë një përllogaritje të saktë të kohës së vuajtjes së dënimit ndaj Zani Caushit”, tha mes të tjerash avokati.
“Çështja e përllogaritjes së burgut nuk është vetëm çështje e tij por ekziston si problematikë edhe për të burgosurit e tjerë. Pavarësisht se mendimet e avokatëve nuk merren parasysh, por unë i sugjeroj Ministrisë së Drejtësisë të krijonte një aplikacion data, për llogaritjen e kohës së vuajtjes së dënimit, data ku hidhen të gjithë të dhënat për të dënuarin. Aplikacioni nuk është se duhet të bëjmë shpikje shqiptare, ai ekziston edhe në vendet ku ne duam të bëjmë pjesë.
Mjafton një program në databasen e Ministrisë së Drejtësisë, dhe nuk ka nevojë të bëj gjyq jo vetëm Zani Caushi por edhe të tjerë. E them këtë sepse ka patur edhe gjyqe të tjera, ky nuk është gjyqi i parë. Njerëz janë edhe punonjësit e Drejtorisë së Burgjeve, mund të gabojnë, nuk është faji i tyre, kështu që ndaj një program që të mundësonte këtë do ishte i favorshëm qoftë për shtetin qoftë për të dënuarin.
Dënimi me burgim të përjetshëm është dënimi i fundit që ekziston në sistemin penitenciar në Republikën e Shqipërisë. Nga ana juridike dhe për të burgosurit me burgim të përjetshëm ekziston mundësia e lirimit me kusht. Me kodin e vjetër për të cilin është dënuar Myrteza Caushi është dënuar me 25 vjet ndërsa me Kodin e ri është 35 vjet.
Përderisa hapësira ligjore për lirimin me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm ekziston, normalisht llogaritja e vuajtjes së dënimit edhe për të burgosurit me burgim të përjetshëm duhet të ekzistojë dhe të jetë e saktë. Aktualisht jemi në kushtet kur duhet të ketë një përllogaritje të saktë të kohës së vuajtjes së dënimit ndaj Zani Caushit”, u shpreh ai.
n.d./abcnews.al