Ministri për Evropën dhe punët e jashtme Ditmir Bushati beson në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në fund të këtij muaji. Është kjo përgjigja që i ka dhënë një grupi studentësh të cilët e kishin thirrur në interpelancë për temën perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Janë një grup studentësh që i kërkojnë ministrit Ditmir Bushati se ku është Shqipëria me ecurinë e procesit të negociatave.
“Zoti ministër a besoni ju se do ketë hapje negociatash për ne?”
Ministri për Evropën dhe punët e jashtme u shpreh besimplotë se negociatat do të hapen në fund të muajit qershor.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha vendet anëtare të BE-së. Puna nuk ka ndalur sepse ne kemi besuar gjithnjë që rekomandimi i KE-së duhet lexuar si një nxitje dhe inkurajim i mëtejshëm sidomos përsa i përket vijimit të reformave dhe thellësisë së tyre”
Sipas ministrit Bushati reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian janë realizuar.
“Mjafton të shohësh Vettingun në institucionet e drejtësisë për të kuptuar që e gjithë hierarkia e lartë e sistemit aktual të drejtësisë është në njësitë mjaft të imët. Dita-ditës besojmë se po tregojmë se në këtë proces ka besueshmëri të plotë dhe ne po arrijmë pikën e moskthimit pas”.
Synimi i qeverisë është që me uljen në tryezën e bisedimeve të hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian që nuk do të mbyllet nesër,sipas ministrit Ditmir Bushati por do të ketë përpara sfida. /abcnews.al