Çdo biznes që do të vijojë të funksionojë në shfrytëzimin e karrierave të gurit, duhet t’i përmbahet rregullave te qarta. Pas mbylljes se mbi 30 guroreve dhe pezullimit të disa të tjerave, ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, shpalli metodologjinë e re të funksionimit në takimin me sipërmarrës në këtë fushë.
Ka folur haptazi ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, me përfaqësuesit e biznesit të guroreve.
Blendi Klosi: “Ka ardhur koha që këtë bisedë ta bëjmë fare të sinqertë me njëri- tjetrin, ju të bëni biznes dhe ky biznes të jetë i monitoruar, i mbrojtur, i zhvilluar. Shqipëria ka nevojë për biznesin tuaj, por nga ana tjetër, biznesi të jetë jo në kundërshtim me rregullat e bashkëjetesës me komunitetin dhe me mjedisin. Biznesi juaj të mos jetë në kundërshtim me Shqipërinë turistike”.
Rregullat e reja që paralajmëron ministri i Mjedisit parashikojnë që guroret duhet të kenë distancë të përcaktuar nga zonat e banuara, jo pranë akseve kombëtare dhe zonave të banuara dhe të zbatojnë një sërë kriteresh në mënyrën e shfrytëzimit por edhe rehabilitimin pas mbylljes. Nuk duhet të jenë pranë lumenjve, kanaleve kulluese dhe të kenë impakt sa më të vogël vizual në peizazh.
Blendi Klosi: “Kemi një analizë që kemi bërë për 287 lejet mjedisore dhe minerare për guroret që janë dhënë në të gjithë vendin dhe më vjen keq që ta them se pothuajse në të gjitha ato, ka problematika në disa elemente. E para problematikë në zbatimin e lejes mjedisore dhe lejes minerare. E dyta, problematikë me vendosjen e koordinatave. E treta, problematika shumë të mëdha përsa i përket trajtimit të mjedisit dhe situatës në të cilën janë zhvilluar këto biznese. E katërta po ashtu problematikë shumë e madhe, është trajtimi i peizazhit, trajtimi i zonës së marrë në përdorim dhe pastaj rehabilitimi i zonës së marrë në përdorim”.
Ministri Klosi në fjalën e tij u shpreh se biznesi i guroreve nuk mund të ngrihet në kundërshtim me mjedisin dhe komunitetin dhe ky biznes, duhet të zhvillohet në bazë të standarteve të reja./abcnews.al