Një operacion i gjerë i policisë gjermane ka vënë në pranga tre shtetas shqiptarë të cilët akuzohen se janë krerët e një grupi të madh kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar droge. Agjentët e policisë ushtruan kontroll në 23 apartamente, në Këln, Brëhl, Euskirhen, Aahen dhe Sajgeburg, sipas asaj që raportion agjencia gjermane e lajmeve online “fokus.de”.
Tre kokat e bandës të moshës 21, 27, dhe 29 vjeç u arrestuan, së bashku me katër shpërndarës tjerë. Prokuroria gjermane akuzon shtetasit shqiptarë, identiteti i të cilëve nuk është bërë publik, se merren me trafik ndërkombëtar droge, të llojit marijuanë dhe kokainë.
Mediat gjermane shkruajnë se ata ishin vënë nën vëzhgim që prej shtatorit 2017, ndërsa pjesa më e madhe e drogës vinte nga Holanda.
Policia sekuestroi 15 kilogram marihuanë, kokainë dhe amfetamin si dhe 30 mijë euro kesh. Gjithashtu janë sekuestruar edhe municione armësh. /abcnews.al