Afera CEZ-DIA, Ismailaj kërkon riçelje të gjykimit

schedule19:34 - 24 Tetor, 2017

schedule 19:34 - 24 Tetor, 2017

Ish-administratori i DIA-s, Kastriot Ismailaj, i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash” kërkoi rihapjen e gjyqit në Gjykatën e Tiranës. Edhe pse biznesmeni i pandehur paraqiti 132 prova të reja para gjykatës, kjo e fundit rrezoi kërkesën e tij.
Ai argumentoi se nuk kishte pasur mundësi t’i siguronte më parë këto prova.

Kastriot Ismailaj nuk pranoi të futet në sallën e gjyqit pa u larguar kamerat.
Thuajse si në çdo seancë tjetër, ish-administratori i DIA-s, i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash” u kujdes të mos shfaqej deri në momentin që mund të filmohej.
Të martën i pandehuri tentoi t’i japë një kthesë të fortë procesit ndaj tij. Në një kohë që çështja ndodhet në fazën e konkluzioneve përfundimtare, ku ka mbetur pa u dëgjuar pala e mbrojtjes, Ismailaj kërkoi riçelje të shqyrtimit gjyqësor.
Ai prezantoi para trupit gjykues 132 prova të reja. “Për shkak se gjykohem në masën e sigurisë ‘arrest në burg’ e kam pasur të pamundur më parë për t’i siguruar këto prova”, artumentoi ai kërkesën. Për këtë shkak, ai kërkoi rihapje të gjykimit dhe shqyrtimin e këtyre provave.
Mes qindra faqesh dokumente shkresore të paraqitura prej tij kishte vendime të prokurorisë për mosfillim procedimi penal, procesverbale për veprime të kryera nga punonjësit e DIA-s, apo edhe akte të paraqitura nga pala shqiptare në Arbitrazh. “Veprimet janë bërë për të bllokuar llogaritë bankare dhe për të shantazhuar Kastriot Ismailajn”, pretendoi i pandehuri.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni Ismailaj i ka konsumuar veprat penale gjatë marrëveshjes CEZ-DIA, duke përfituar përmes mashtrimit një shumë prej 5 milionë euro. Seanca e së martës ishte e 44-ta në radhë në gjykimin e tij në Gjykatën e Tiranës.

https://www.youtube.com/watch?v=Ipxsigw3uzo

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!