Lewis, një 11-vjeçar tifoz i Liverpool, është ndjerë nervoz para nisjes së shkollës dhe situatë e ka nxitur vogëlushin t’i shkruajë një letër trajnerit të “The Reds”, Jurgen Klopp. Gjermani nuk ka ngurruar edhe t’i kthejë përgjigje fansit të vogël dhe e gjitha është bërë mediatike.
“Përshëndetje Lewis. Mund ta nis duke të treguar një sekret? Edhe unë bëhem nervoz. Për të qenë totalisht i sinqertë, do të shqetësohesha nëse nuk do të ndodhte. Them kështu pasi kur bëhem nervoz më jepet mundësia ta kthej atë energji në diçka pozitive.
E di që mund të duket e çuditshme për një djalë në moshën tënde të mendojë që trajneri i Liverpool të ndihet nervoz si ti, por më ndodh. Nga letra luaj duket qartazi se jeni zhytur në mendime dhe gjithashtu jeni shumë i kujdesshëm. Kur i keni këto cilësi është e vështirë ta shmangni nervozizmin.
Ju më pyetët mua se çfarë bëj kur lojtarët e mi ndihen ashtu dhe përgjigja është e thjeshtë: U kujtoj atyre sa të rëndësishëm janë për mua dhe sa besoj tek ata. Nuk kam dyshime që e njëjta gjë ndodh edhe me familjen tënde dhe ty. Ju nuk keni nevojë të shqetësoheni për gjërat e këqija që ndodhin.
Siç e dini, kam humbur disa finale dhe nuk është një ndjenjë e mirë. Gjithsesi me ndihmën e famlijes dhe miqve të mi vazhdova përpara dhe në fund ishim të gjendje të shijonim disa kohë mjaft të bukura.
Nëse do të isha ndalur në momentet e këqija, e di që kjo nuk do të kishte qenë e mundur. Kështu që ju lutem qëndroni pozitiv ndaj vetes dhe prisni me padurim kohën e shkëlqyer që jam i sigurt që do e përjetosh kur të rritesh.
Dhe mos harroni që ju jeni pjesë e familjes së Liverpool dhe kjo do të thotë që ka miliona njerëz që duan që ju të jeni të lumtur. Mbështetja juaj do të thotë shumë për mua dhe për këdo te Liverpool, kështu që shpresoj që kjo letër t’ju tregojë se edhe ne ju mbështesim”, shkruhet në letrën e Klopp, që mbyllet më të famshmen “You will never walk alone”.
Nëna e djaloshit, Milena, ka folur për LiverpoolEcho pas letrës që i biri mori nga trajneri gjerman: “Lewis ka qenë i mbingarkuar dhe plotësisht i tronditur. Ishte një letër personale e kthyer pas nga Klopp. Ishte diçka shumë e bukur. Ne shkuam direkt në dyqan për të blerë një kornizë, pasi Lewis ishte i shqetësuar se mos letra do të prishej. Tani e ka atë mbi tryezën e tij në dhomën e gjumit”. /abcnews.al