Space x ka krijuar sisteme të ripërdorshme të lëshimit të raketave, ka lëshuar satelitë në orbitë ndërkohë që së fundmi nisi një partneritet me NASA-n. Këtë verë SpaceX nisi dy astronautë të NASA-s në ISS në bordin e anijes Crew Dragon, duke e bërë atë kompaninë e parë private të fluturimeve hapësinore që dërgoi një anije kozmike në hapësirë.
Doug Hurley dhe Bob Behnken u larguan nga Toka për në stacionin hapësinor në 30 maj 2020. “Ne duam të dërgojmë të gjitha llojet e njerëzve në hapësirë”, thotë Benji Reed, drejtor i menaxhimit të misionit të ekuipazhit në SpaceX. “Gjithçka që po bëjmë është të hapim një kapitull të ri në epokën e hapësirës.“, shtoi më tej ai.
E krijuar që nga fillimi për të dërguar njerëz, anija kozmike Dragon e SpaceX është e aftë të transportojë si astronautë të NASA-s ashtu edhe pasagjerë privatë në destinacione në orbitë, Hënë dhe më gjerë. Sigurisht, pas këtij vizioni dhe suksesi qëndron padyshim Elon Musk.
“Është e rëndësishme që ne të kemi një civilizim hapësinor dhe të jemi atje midis yjeve. Ne duam që gjërat në romane dhe filma fantastiko-shkencorë të mos jenë trillime përgjithmonë, dhe fantazojmë që një ditë të jenë reale.“, theksoi pak kohë më parë Musk.
Kjo do të jetë një epokë e re e fluturimeve njerëzore në hapësirë, ku automjetet private dhe ato të drejtuara nga shteti fluturojnë së bashku me njëra-tjetrën, duke i dërguar njerëzit në hapësirë dhe në ISS. Ky zhvillim është padyshim një arritje për NASA, dhe për Space X dhe raketat e saj të ripërdorshme, por gjithashtu një nxitje për shkencën dhe inovacionin hapësinor. xh.d/abcnews.al



