Disa orë pas atentatit ndaj drejtorit të policisë bashkiake në Malësinë e Madhe, ku mbeti i plagosur së bashku me të atin, është gjetur motori që përdori autori në ndjekjen e Mentor Hasanajt dhe largimin nga vendi i ngjarjes, ndërsa tre persona janë shoqëruar, pasi dyshohet se kanë lidhje me krimin.
Burimet për Abc News bëjnë me dije se motori u gjet rreth orës 18:00 të pasdites së sotme rreth 500 metra nga vendi në të cilin është kryer atentati, në vendin e quajtur “Livadhe”. Autori e ka braktisur mjetin ndërkohë që më pas mendohet se është larguar në këmbë.
Policia e Shkodrës po ushtron kontrolle në zonë pasi dyshohet se autori nuk është larguar nga perimetri ku është kryer atentati ndaj drejtorit të policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe Mentor Hasanaj, raporton gazetari i Abc News në Shkodër Simon Shkreli.
Por si iu bë atentati?
Mesditën e sotme shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj teksa po kthehej nga Shkodra për në shtëpi u ndoq nga një motor “Papaq” dhe në momentin që ndaloi makinën me punës me të cilën po udhëtonte me të atin dhe gruan, u qëllua.
Fillimisht autori qëlloi nga pas makinën, ndërsa më pas doli nga krahu i shoferit, pra Hasanajt duke qëlluar disa herë. Hasanaj dhe i ati mbetën të plagosur nga atentati, ndërsa fatmirësisht plumbat nuk kapën gruan e tij.
Duke qenë se ishte në gjendje më të rëndë, drejtori i policisë bashkiake u dërgua te spitali i Traumës për mjekim të specializuar, ndërsa i ati i tij ndodhet në spitalin rajonal Shkodër.
Pistat ku po hetohet janë disa, mes të cilave edhe nëse atentati ka lidhje me detyrën./ db/Abcnews.al