Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj u shpreh në një prononcim për Abcnews.al se nuk ka dijeni që drejtori i policisë bashkake, të cilit iu bë sot atentat, të ketë pasur konflikte familje apo për shkak të detyrës. Ai tha më tej se ia lë drejtësisë zbardhjen e ngjarjes.
“Ne si institucion nuk kemi koment në lidhje me ngjarjen duke qenë se nuk dimë të ketë pasur ndonjë konflikt familjar apo për shkak të detyrës. Ia lejmë organeve kompetente për zbardhjen e ngjarjes” tha ai për Abcnews.al.
Shefi i Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe Mentor Hasanaj mesditën e sotme u transportua me urgjencë nga spitali rajonal i Shkodrës në Tiranë te spitali i Traumës për mjekim të specializuar pas atentatit që iu bë.
Një burim nga spitali i Traumës i tha Abcnews.al se “gjendja e Mentor Hasanajt është stabël, ndodhet nën kujdesin e mjekëve”.
Por si iu bë atentati?
Shefit të Policisë Bashkiake iu bë atentat gjatë orëve të drekës teksa po udhëtonte në automjetin e bashkisë me të atin dhe bashkëshorten.
Autori e ndoqi me një motor tip “Papaq” dhe priti deri në momentin kur makina ndaloi për të qëlluar drejt tyre dhe më pas është pozicionuar edhe anash, në krah të shoferit.
Mentor Hasanaj ishte në makinë bashkë me të atin dhe të shoqen por kjo e fundit i shpëtoi plumbave, ndërsa babë e bir mbetën të plagosur.
Policia po vijon punën për identifikimin dhe vënien e autorit në pranga. Policia dhe prokuroria po hetojnë në disa pista, mes të cilave edhe dyshimet se atentati mund të jetë bërë për shkak të detyrës./ db/Abcnews.al