Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është shprehur qartë, se nuk ka për qëllim që të përçajë Bashkimin Europian. Ai nënvizon se Unioni është partneri më i rëndësishëm, në fushën tregtare dhe ekonomike.
Presidenti I Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se vendi i tij nuk po përpiqet të ndajë Bashkimin Europian. Deklarata e tij vjen përpara një vizite në Austri, udhëtimi i tij i parë në një vend të Europës Perëndimore në rreth një vit. Putin i tha mediave austriake se dëshiron një “BE të bashkuar dhe me prosperitet, duke e cilësuar bllokun si partnerin më të rëndësishëm ekonomik dhe tregtar.
Ai gjithashtu hodhi poshtë raportimet për lidhje mes partisë së Unitetit të Rusisë me forcën politike të djathtës ekstreme, Partia e Lirisë. Putin do të takohet me presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen dhe kancelarin Sebastian Kurz si dhe me lider biznesi. “Sa më shumë probleme që të ketë në zemër të BE-së, më shumë rreziqe dhe problem ka për ne. Ne duhet të bashkëpunojmë me BE-në. Nuk kemi për qëllim që të përçajmë ndonjë gjë apo ndokënd në BE”, u shpreh ai.
Sanksionet e Unionit, të vendosura kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë në 2014 dhe mbështetja e separatistëve në Ukrainën Lindore, do të jenë pjesë e diskutimeve. Mardhënia e Moskës me Brukselin mbetet e tensionuar për shkak të përfshirjes në Ukrainë, nga roli në luftën e Sirisë dhe nga helmimi i ish agjentit të dyfishtë Sergej Skripal në Angli. Qeveria britanike ka akuzuar Rusinë se qëndron prapa vrasjes së mbetur në tentativë. Por Kremlini mohon çdo përfshirje. Austria ishte një ndër vendet e pakta të qeverive të BE-së që nuk pranoi të dëbonte diplomat rusë. /abcnews.al