Kreu i sindikatës së naftëtarëve në Ballsh ka përfunduar në spitalin e Mallakastrës pas disa ditësh greve urie.
Mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rënduar pasi ka shfaqur probleme me tensionin e lartë.
Dautaj aktualisht po merr trajtimin mjekësor pranë këtij spitali por është shprehur se pasi të mbaroj trajtimin do të kthehet përsëri në grevë tek naftëtarët e tjerë.
“Prej ditësh kam patur shqetësime me tensionin ndërsa gjatë natës kam patur goditje. Sot nuk doja ta bëja mediatike, por të bëja një kontroll, gjithsesi me të mbaruar mjekët unë do të kthehem tek shokët të vazhdoj grevën”, tha ai.
Ndërkohë mjekët thanë se gjendja e Dautaj është rënduar nga dehidrimi pasi që prej ditës së djeshme grevistët kanë refuzuar ujin dhe vizitat mjekësore.
Mjekët kanë këshilluar Dautajn që të mos kthehet më në ambientet e grevës, ndërsa aktualisht ai po trajtohet në spital me serume.
“Sokol Dautaj është paraqitur me dhimbje të fortë të kokës, lodhje, dobësi. Me ekzaminimin që kemi bërë rezulton të ketë patur tension 170 me 100. Duke qenë se është dehidruar ka marrë mjekim për këto probleme që ne kemi parë dhe aktualisht është në trajtim.
E kemi këshilluar normalisht të mos rikthehet në grevë sepse hipertensioni duhet kontrolluar. Disa herë e kemi parë edhe në vendin ku bëhet greva Dautaj ka shfaqur tension të lartë ndërsa tani është rënduar më shumë nga mosmarrja e lëngjeve, dehidrimi ka bërë pjesën e vet.
Dje jemi refuzuar të hyjmë të kryejmë vizitat, dhe nuk janë kryer tek asnjë prej grevistëve”, tha mjekja e cila ka kryer vizitën e kreut të sindikatës së naftëtarëve.
n.d./abcnews.al