Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini ka tentuar të zbusë qëndrimin e tij lidhur me emigracionin, por ai ka mbështetur përsëri qëndrimin e dëbimit të refugjatëve nga vendi. Ai thotë se emigrantët duhen ndaluar para nisjes në det për të shmangur tragjedi të mundshme.
“Lidhur me emigrantët nuk do të mbajmë një linjë të ashpër, por atë të mirëkuptimit”.
Këtë e ka thënë për mediat italiane ministri i ri i Brendshëm, Matteo Salvini, gjatë një tubimi në Katania.
“Siçilia nuk mund të jetë kampi i refugjatëve të Europës”, ka shtuar më tej lideri i Lega Nord. Më tej, Salvini ka siguruar se nuk do të rrijë pa bërë asgjë përballë zbarkimeve të emigrantëve në brigjet italiane.
Gjatë konferencës për shtyp ai u shpreh: “Përsëri viktima në det. Mesdheu është kthyer në një varrezë. Ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar këto jetë: më pak njerëz që nisen dhe më shumë riatdhesime. Jeta është e shenjtë dhe për ta shpëtuar atë, ne duhet ta parandalojmë udhëtimet e tyre me mjete lundruese në det. Si ministër do të bëj gjithçka, duke punuar me ato qeveri, për të shmangur largimet e atyre njerëzve të dëshpëruar që mendojnë se ka flori në Itali. Nuk ka punë për italianët, nuk ka asgjë të thjeshtë. Nuk ka as Batman as Robin në qeveri”.
Më tej, Salvini thotë se ka parë në fashikujt e ministrisë së Brendshme dhe ka zbuluar se në Itali, kostoja e asistencës për azilkërkuesit është më e larta në Europë ndërsa koha e lëshimit të autorizimeve është më e ngadalta. Ndërsa më tej ka nënvizuar se limitimi i zbarkimeve dhe rritja e dëbimeve do të thotë të shpëtosh jetë./abcnews.al