Një skuadër shqiptare do të marrë pjesë në Turneun me emrin e Nejmarit në Brazil. Gjithçka u përcaktua në finalet e zhvilluara në Lungomare të Vlorës, nën organizimin e Red Bullit.
Një biletë për në vendin e futbollit.
Nëse Anglia e shpiku, Brazili e ktheu në magjik, dhe një skuadër shqiptare fitoi të drejtën të luajë në finalet e një turneu pikërisht në tokën braziliane, me emrin e një legjende të gjallë.
“Hat Trik Albania” është ekipi që do të luajë në kupën “Nejmar 5” që zhvillohet në shtëpinë e yllit brazilian, në Santos.
Ky ekip fitoi turneun e zhvilluar nga Red Bulli në Shqipëri mes 64 skuadrave, dhe që u mbyll në Vlorë.
Fillimisht u luajt në qytete të tjerë si Tiranë apo Korçë, për të përfunduar në bregdetin e Adriatikut.
Në fazën finale ishin përballë tetë skuadra dhe fituese doli pikërisht “Hat Trik Albania”, që do të niset në Brazil në 21 korri, për të luajtur në Kupën me emrin e Nejmarit.
Ky ishte viti i pestë radhazi që Red Bulli zhvilloi aktivitetin që tashmë mund të quhet tradicional dhe që solli emocione të mëdha në shëtitoren e Lungomares në Vlorë. /abcnews.al