Një marshim protestë është organizuar në Tiranë për të drejtat e fëmijëve. Përmes një peticioni drejtuar Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, shoqëria civile ka kërkuar më tepër vëmendje për fëmijët.
1 Qershori i këtij viti 20% të fëmijëve në Shqipëri i gjen në varfëri absolute. 50 mijë shfrytëzohen për pune dhe mbi dy mijë ndodhen në situatë rruge. Shifrat shqetësuese bëhen publike nga rreth 30 organizata në mbrojtje të fëmijëve.
Jepni llogari për fëmijët është apeli i tyre, i cili përmes një peticioni iu drejtua kryeministrit të vendit. Marshimin e tyre e ndalën edhe përpara kryesisë së Kuvendit.
Në të njëjtën kohë, kur shoqëria civile ngrinte kartonat e kuq në formë proteste përpara zyrës së tij, kryeparlamentari Gramoz Ruçi ishte në sallën e seancave plenare, ku bashkë me deputetë të grupit “Miqtë të Fëmijëve” kishin organizuar një aktivitet me rastin e 1 Qershorit.
Me kërkesa të dukshme për këdo që kalonte në bulevard, shoqëria civile iu drejtua institucionit te Presidentit të Republikës. Kreu i shtetit doli vetë ta marrë peticionin e tyre.
Shoqëria civile iu kërkoi institucioneve shtetërore të ndërmarrin hapa konkretë për fëmijët pasi përfaqësuesit e saj vunë në dukje se ndonëse ka kaluar një vit nga dorëzimi i letrës së hapur dorëzuar po të njëjtave institucione, rekomandimet e tyre nuk janë marrë parasysh./abcnews.al