Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita me rastin e 1 Qershorit ka pritur një grup fëmijësh, nxënës të shkollës 9-vjeçari “1 Maji” të cilët i uroi për festën, duke theksuar se janë e ardhmja e vendit dhe arsyeja përse policia punon çdo ditë për një Shqipëri më të sigurt.
Hita garantoi se punonjësit e policisë do vijojnë angazhimin e tyre për garatimin e sigurisë në shkolla, rrugë, komunitet dhe internet.
“Të dashur fëmijë, Sot është dita juaj, dita që na kujton neve të rriturve se sa e bukur dhe e pastër është bota që shihet përmes syve tuaj.
Ju jeni e ardhmja e vendit tonë dhe arsyeja pse ne punojmë çdo ditë për një Shqipëri më të sigurt. Dëshira jonë është që ju të rriteni të lumtur, të shëndetshëm, të arsimuar dhe të ndiheni gjithmonë të mbrojtur.
Si prind dhe si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ju siguroj se punonjësit tanë do të vazhdojnë të jenë pranë jush, duke u angazhuar çdo ditë për sigurinë tuaj në shkollë, në rrugë, në komunitet, si dhe në internet, ku kujdesi dhe mbrojtja janë po aq të rëndësishme.
Mos hezitoni kurrë të na zgjatni dorën kur keni nevojë për ndihmë, këshillë apo mbështetje. Punonjësi i Policisë është dhe do të jetë gjithmonë pranë jush, si një mik i besuar.
Në këtë ditë të veçantë për ju, ju uroj nga zemra gëzuar festën dhe paçi gjithmonë diell në rrugëtimin e jetës suaj!”, deklaroi Hita.


