“Njëlloj si skenari i Kaukazit”, Vuçiç: Konflikti i ngrirë me Kosovën mund të sjellë luftë

schedule12:03 - 6 Tetor, 2020

schedule 12:03 - 6 Tetor, 2020

Mbrëmjen e së hënës presidenti serb Aleksander Vuçiç konfirmoi Ana Bernabiç si kryeministren e vendit, duke i dhënë kësaj të fundit një mandat të dytë.

Gjatë konferencës për shtyp Vuçiç është shprehur po ashtu edhe në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën.

Lideri serb deklaroi se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën. Ai përmendi luftën që po zhvillohet në Nagorno Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke vënë në dukje se si “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”

Vuçiç tha po ashtu se Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi me Kosovën, por shtoi se nuk do të pajtohet me poshtërim.

“Nuk duam që kjo të na ndodhë dhe të na befasojë. Prandaj nuk angazhohemi për një konflikt të ngrirë, por duam një zgjidhje kompromisi dhe të këmbëngulim në procesin që zhvillohet nën përkujdesjen e BE-së,” u shpreh ai.

Gjithashtu, gjatë konferencës për shtyp Vuçiç theksoi se Serbia presionin më të madh e ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës, pa marrë asgjë në këmbim.

“Obligimi ynë është që të përballemi me sfidat. Kurse përballë presioneve më të mëdha që janë rreth Kosovës dhe përpjekeve për ta detyruar Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës, e për këtë të mos marrë pothuajse asgjë, me dëshirën tonë gjithmonë të shprehim qëllimin tonë për të biseduar dhe për të arritur një zgjidhje kompromisi. Sigurisht nuk e pranojmë poshtërimin e qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve tanë në Kosovë,” deklaroi presidenti serb. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!