Autoritetet franceze kanë çmontuar të mërkurën, një kamp refugjatësh të ngritur në rrethinat e Parisit, ku qëndronin mbi 1 mijë persona, të ardhur nga Afrika dhe Lindja e Mesme.
Policia franceze ndërmori të mërkurën një operacion për pastrimin e një kampi ilegal refugjatësh në Paris, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për të zgjidhur çështjen e fluksit migrator. Në kampin “MILENER” në veri-lindje të Parisit, trupat policore shoqëruan refugjatët në autobusë drejt strehave të përkohshme përreth qytetit. Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo deklaroi se rreth 1 mijë nga 1.600 emigrantë të numëruar në kamp janë evakuuar. Autoritetet lokale kanë bërë me dije se aksione të tjera të ngjashme ndaj kampeve më të vogla përreth Parisit do të kryhen së shpejti. Ministri i Brendshëm, ZHERARD Kolomb tha se forcat e rendit do të mbeten të angazhuara për të parandaluar ngritjen sërish të kampeve të tilla. Europa është përballur në vitet e fundit me krizën më të rëndë të emigrantëve për shkak të luftrave në Lindjen e Mesme dhe Afrikë që detyruan mbi 1 milion njerëz të zhvendosen. Në Francë, shumica e refugjatëve u mblodhën në qytetin-port Kale, ku një kamp gjigant i njohur ndryshe si “xhungla” u çmontua nga autoritetet në vitin 2016. Pjesa e mbetur janë strehuar në Paris dhe në zonën kufitare franko-italiane. /abcnews.al