Nga Esiona Konomi
Sërish në skenë!
Në një institucion që e ka drejtuar dikur, por që sot, nuk ngjason me të parin.
I larguar në heshtje nga qeveria e Ramës, Ilirjan Celibashi mori këtë të enjte bekimin e dy palëve politike që në 7 vitet e ardhshme të jetë kryetari i KQZ-së.
Në komisionin e posacëm të Kuvendit, Partia Socialiste propozoi për kryekomisioner: Ilirjan Celibashin, Ilir Rusmajlin dhe Ardian Myslymajn.
Ishte e drejta e opozitës së përfaqësuar nga Oerd Bylykbashi për të hequr një vijë të kuqe.
Ai nuk fshiu ish ministrin e Ramës, por vendosi gomën mbi ish ministrin e Berishës.
Kështu, Ilir Rusmajli u skualifikua dhe në votim të hënën shkon Celibashi dhe Myslymaj.
Zëvendëskomisioneri me mandat 4 vjecar, do t’i përkasë Partisë Demokratike. Bylykbashi propozoi Lealba Pelingun, Agron Haxhimalin dhe Hysen Osmanajn. Ky i fundit u skualifikua nga Partia Socialiste, duke dërguar për votim shefen e departamentit Antikorrupsion në PD dhe ish kryetarin e Komunës së Petrelës.
Instruksionet janë të qarta. Numri dy i KQZ-së bëhet Lealba Pelingu me votat e socialistëve.
Paralelisht me Ilirjan Celibashin dhe Lealba Pelingun në KQZ do të funksionojnë dhe dy trupa të pavarura.
Këshilli Rregullator do të përbëhet nga Dritan Çaka, Odeta Berberi, Ilirjana Nano nga Partia Socialiste kryetare, si dhe nga Helga Vukaj e PD-së dhe Muharrem Cakaj i LSI-së.
Në Këshillin e Ankesave dhe Saknsioneve do të punojnë për 9 vjet, Ervin Lako, Koli Bele, Ilir Rusmajli të propozuar nga PS dhe Ledio Braho e Elvis Cefa nga PD.
Të dy këto trupa do të votëbesohen në bllok në seancën parlamentare të së hënës.
Kandidatë për kryekomisioner
- Ilirjan Celibashi Kalon për votim
- Ilirjan Rusmali Eleminuar nga PD
- Ardjan Myslimaj Kalon për votim
Kandidatë për zv.komisioner
- Lealba Pelingu Kalon për votim
- Agron Haxhimihali Kalon për votim
- Hysen Osmanaj Eleminuar nga PS
Anëtarë të Këshillit Rregullator
- Ilirjana Nano PS
- Dritan Çaka PS
- Odeta Berberi PS
- Muharrem Çakaj LSI
- Helga Vukaj PD
Anëtarë të KAS
- Ilirjan Rusmali PS
- Elvin Lako PS
- Koli Bele PS
- Elvis Çefa PD
- Ledio Braho PD
/ db/Abcnews.al

