Por ndërsa bëhet gati qeveria teknike, Di Maio dhe Salvini, nga Lëvizja 5 Yjet dhe Lega Nord po organizojnë një protestë dy-ditore, ku kërkohet shkarkimi i Presidentit Matarella. Sipas tyre, ai nuk lejoi krijimin e qeverisë së votuar nga populli.
Carlo Cottarelli, ekonomisti i mandatuar nga Presidenti italian Matarella për krijimin e qeverisë, premtoi të hënën se do të qëndronte në këtë post deri në miratimin e ligjit të buxhetit si dhe për organizimin e zgjedhjeve të reja në vend. Por pjesa më e madhe e partive në vend deklarojnë se nuk do të votojnë për këtë ekzekutiv.
Të parët që kanë reaguar ashpër ishin Luigi Di Maio e Matteo Salvini, të cilët paralajmëruan protesta masive për datën 2 dhe 3 Qershor kundër atyre që i cilësuan si pushtete të forta të Europës dhe bankave, dhe në mbështetje të së drejtës së popullit italian për të zgjedhur qeverinë e tyre.
E nëse Lega e Salvinit konfirmoi se do të jetë në sheshe të ndryshme të vendit në fundjavë. Lëvizja 5 Yjet do të përqendrohet në protestën kombëtare në Romë në datën 2 Qershor. Ndërsa Partia Demokratike deklaroi se do të jetë në 1 Qershor në një manifestim kombëtar në kryeqytet në mbështetje të presidencës dhe Kushtetutës.
Por gjithësesi Di Maio dhe Salvini, nuk janë të një mendjeje për sa i përket zgjedhjeve të reja të menjëhershme. Lideri i Legës, nuk dëshiron të presë, ndërsa Di Maio mendon se periudha e duhur është ajo e Shtator – Tetorit. E ndërsa Di Maio këmbëngul se presidenti Matarella ka kundërshtuar dhe emra të tjerë përveç Savonës si ministër Ekonomie, nga presidenca vjen një përgënjeshtrim i shkurtër dhe i prerë. Por Lëvizja 5 Yjet dhe Lega nuk janë aspak dakord dhe përsa i përket shkarkimit të presidentit Matarella, pasi nëse DI Maio e kërkon menjëherë, Salvini dëshiron të ketë prova më të qartë për të kërkuar shkarkimin e kreut të shtetit.
Një deklaratë që mbetet e vetmja pikë e përbashkët mes Legës dhe Forza Italia të Silvio berluskonit, marrëdhëniet mes të cilëve janë gjithnjë e më të vështira. Ish-kryeministri italian Berluskoni premtoi se qendra e djathtë do të shkojë e basHkuar në zgjedhjet e reja.
Ish-lideri demokrat, Mateo Renzi, me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, shprehet se zgjedhjet e reja do të jenë një mundësi për rimëkëmbjen e Partisë Demokratike, por dhe për shpëtimin e vendit, i cili mund të shpëtohet vetëm nga kjo forcë politike sipas tij.

