Mesfushori i Tiranës, Idriz Batha, ka folur para ndeshjes kundër Young Boys që do të luhet në Zvicër. Në konferencë për shtyp, Batha u shpreh:
“Gjendja? Jam ndjerë mirë mendoj se e kam kaluar dëmtimin që kisha, nuk mund të them se jam në 100%, por jam në 95% të formës.
Është një ndeshje e rëndësishme për të gjithë Shqipërinë, pasi të gjithë fitojnë nga pak. Është privilegj, që jo të gjithëve ju jepet mundësi t’i luajnë. Shpresoj të jetë fati me ne. Takime të tilla i vendosin episodet. Ekipet e tilla këtu bëjnë diferencën, që nëse gabon të ndëshkojnë, shpresojmë të mos bëjmë gabime.
Më mirë të luajmë keq dhe të fitojmë, sesa të luajmë mirë dhe të humbim. Duam kualifikimin.
Ndeshje të tilla priten me padurim. Kemi zhvilluar dy ndeshje të tjera dhe e kemi parë që skuadrat e tjera nuk kanë shumë diferenca me ekipet shqiptare, thjesht shfrytëzojnë gabimet. Mund t’ia dalim nëse nuk gabojmë.
Gjendja për momentin është e mirë. Kemi zhvilluar fazë mini-përgatitore, por ndeshjet zyrtare janë ato që ta japin ritmin, kjo mendoj se na penalizon.
Ndjej përgjegjësi në të tilla ndeshje, por duke e njohur veten dhe tipin që kam, nuk mendoj se tipi që kam do ndikojë negativisht te unë dhe skuadra.
Ne e kemi studiuar kundërshtarin, kanë elementë cilësorë brenda, sidomos në anën ofensive. I kemi marrë edhe masat, por shpresoj që gjërat që kemi thënë në video-analizë t’i shfaqim në fushë.
Goditjet standarde? Është e vërtete që i druhemi golave nga goditjet standarde, pasi kundërshtari i ka lojtarët për të tilla raste. Do bëjmë maksimumin për të mos pësuar gol”, u shpreh Batha./abcnews.al