Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, do të dalë më 1 tetor në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në njoftim.
Siç njofton kumtesa, paraqitja e parë e Hysni Gucatit do të mbahet në seancë publike, e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet.