Privatizimi i Vllaznisë, Këshilli Bashkiak: Teori konspirative, askush nuk pengon

schedule08:55 - 29 Shtator, 2020

schedule 08:55 - 29 Shtator, 2020

Vllaznia në Shkodër është më shumë se një klub futbolli, por prej vitesh shkodranët kanë pasur probleme të shumta. Problemet janë reflektuar edhe në fushën e lojës, nga lojërat e rezultatet. Së fundmi është menduar të bëhet një marrëveshje dhe aktualisht Vllaznia ka një sponsor që dëshiron të futet në garë edhe për ta privatizuar klubin.

Alban Xhaferi e ka thënë hapur objektivin e tij, pasi Këshilli Bashkiak votoi “pro” ngritjes së një padie ndaj kryebashkiakes Voltana Ademi, e cila akuzohet për miratimin e pasqyrave financiare të vitit 2018 dhe për emërimet e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Vllaznia Sh.a

Në lidhje me situatën e krijuar dhe për akuzat e bëra se nuk e duan privatizimin, Këshilli Bashkiak ka mbajtur një qëndrim së fundmi. “Në cilin nga këto momente nuk ka qenë i qartë vizioni dhe mesazhi që Vllaznia duhet të privatizohet dhe ne jemi PRO këtij procesi? Këshilli Bashkiak kërkoi vendosjen e rregullit dhe zbatimin e sugjerimeve cilësore të ekspertëve.

Pse pikërisht në momentin që organi kompetent ushtron një të drejtë legjitime në lidhje me kontrollin e një SH.A.-je në pronësi të vetën dalin në pah teori konspirative të tipit “Këshilli Bashkiak po pengon privatizimin”?

Asgjë dhe askush nuk e ka penguar Kryetaren e Bashkisë, që nga konstituimi i këtij këshilli të paraqiste apo të diskutonte në mbledhje të këshillit vizionin, kushtet dhe kriteret për privatizimin e Vllaznisë. Pse pikërisht në këtë moment deklarohet propozimi për nisjen e procedurave të privatizimit?

Ku ishin para 4 vitesh me këtë premtim elektoral, që jo vetëm nuk u realizua 1/4 e tij por Vllaznia ra në Kategori të Parë nga keqmenaxhimi dhe jo vetëm ai financiar? Këshilli Bashkiak NUK përcakton individët apo subjektet që do fitojnë ankandin, por vendos mbi shitjen e aksioneve.

Vendosjes të një standardi më të lartë i tremben aktorët e politikave të vjetra, por sportdashësit e dinë cila është rruga më e drejtë për Vllazninë. S’ka më kohë për eksperimente, me formula të dështuara”, shkruhet në postimin e bërë nga Këshilli Bashkiak Shkodër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!