Real Madrid merr tre pikët e para në kampionat. Pas barazimit 0-0 jashtë fushe ndaj Real Sociedad, djemtë e Zinedine Zidane ia dalin të largohen me fitoren 2-3 nga fusha e Real Betis.
Ndodh gjithçka në Andaluzi, aty ku goli i parë vjen në minutën e 14-t. Karim Benzema zbavitet në krahun e djathtë, dhuron një top në zonë dhe Federico Valverde e dërgon në rrjetë. I jashtëzakonshëm sulmuesi francez.
Vendasit reagojnë dhe përmbysin gjithçka brenda dy minutave. Skemë në minutën e 35-të, që finalizohet nga Aissa Mandi. Mbrojtësi algjerian mposht me kokë Thibaut Courtois, i cili do të nxjerrë sërish topin nga rrjetë pak çaste më vonë.
Gafë e Kroos, Fekir dhuron një asist për William Carvalho dhe gjuajtja e fortë e portugezit nuk pritet dot nga portieri belg. Kaq me pjesën e parë, teksa e dyta nis me golin e miqve. Më saktë një autogol. Emerson devijon në portën e tij një top në minutën e 48-të dhe barazim.
Ndeshje për t’u harruar për 21-vjeçarin brazilian, i cili largohet me të kuqe 19 minuta më vonë. Gjithçka më e lehtë për kampionët në fuqi të Spanjës, që fitojnë një penallti në minutën e 82-të.
Ekzekutimin e merr përsipër Sergio Ramos. Kapiteni nuk gabon, topi në rrjetë dhe 2-3 për “Los Blancos”, që ia dalin të marrin tre pikë në një fushë shumë të vështirë. /abcnews.al
Betis-Real Madrid 2-3
(Mandi 35′, Carvalh 37′ / Valverde 14′, Emerson (aut) 48′, Sergio Ramos (pen) 82′)