Në orët e fundit po flitet shumë për të ardhmen e sulmuesit të Bodo/Glimt, Jens Petter Hauge. Norvegjezi shkëlqeu me paraqitjen e tij në ndeshjen kundër Milanit, ku arriti të shënojë dhe një gol spektakolar në “San Siro”.
Ka qenë gazetari italian, Gianluca di Marzio, ai që ka konfirmuar interesimin e kuqezinjve për lojtarin e ri, por tashmë vjen një deklaratë dhe nga vendi nordik. Bëhet fjalë për ish-yllin e kombëtares norvegjeze, Jan Age Fjortoft, i cili tashmë punon si analist sportiv në vendin e tij.
“Unë e kuptoj që Jens Petter Hauge ka që në muajin qershor që ndiqet nga Milani. Për lojtarin janë dhe tre klube të tjera të interesuara, por dëshira e tij është kalimi në Milano,” janë fjalët e 54-vjeçarit. Tashmë mbetet për tu parë se si do të shkojë ky operacion, ku radhën e kanë drejtuesit kuqezinj për të bërë një ofertë zyrtare për sulmuesin. /abcnews.al