Moti i keq në det, shtyhet nisja e udhëtimit për tragetet e linjës Durrës-Bari

schedule08:27 - 26 Shtator, 2020

schedule 08:27 - 26 Shtator, 2020

Dy tragetet e parashikuara të udhëtonin drejt portit të Barit mbrëmjen e sotme e kanë shtyrë nisjen për mëngjesin e së shtunës.

Autoritetet portuale, duke parë kushtet e pafavorshme të motit, për shkak të detit të trazuar me fuqi 6-7 ballë, kanë urdhëruar shtyrjen e nisjes për në orën 06.00 të së shtunës.

Dy tragetet “Bari” dhe “AF Francesca”  do të qëndrojnë mbrëmjen e sotme të ankoruar në kalatë dhe vetëm nesër, pas qetësimit të detit, do të nisen drejt portit të vendit fqinjë.

Mësohet se dy mjetet lundruese nga porti i Barit do të nisen mbrëmjen e sotme dhe pritet të mbërrijnë mëngjesin e së nesërmes.

Të njëjtat burime saktësojnë se në portin italian, situata sinoptike është më e favorshme prandaj dhe tragetet do të vijojnë udhëtimin në orarin e programuar.

Që nga paraditja e sotme, gjiri i Durrësit u përfshi nga një erë e fortë me drejtim jug-jugperëndim, gjë që shkaktoi det të trazuar dhe dallgë të mëdha./abcnews.al