Çështja e emrit, Tsipras thumbon Shkupin

schedule16:34 - 25 Maj, 2018

schedule 16:34 - 25 Maj, 2018

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, ka ngacmuar Shkupin duke thënë se shtesa para emrit Maqedoni është fitore e madhe për vendin helen. Madje ai nënvizoi se Aleksandri i Madh nuk ka lidhje me Maqedoninë, pasi është një shtet i përbërë nga sllavë dhe shqiptarë.

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, zgjodhi Selanikun për të folur lidhur me negociatat mes Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e kontestit të emrit. Shefi i qeverisë nënvizoi se në bisedimet për emrin ata nuk shkojnë për ta lënë të pandryshuar emrin “Maqedoni”. Gjithashtu ai thotë se ky emërtim që ka Shkupi zyrtar i është dhënë 70 vite më parë. Tsipras vlerëson se emri pa referencë “orienton nga bota antike greke dhe të pasurisë së madhe kulturore të Maqedonisë greke”.

Aleksis Tsipras, Kryeministër i Greqisë: “Ata kanë një entitet shtetëror që prej 70 vitesh quhet Maqedoni, ndërsa nuk kanë asnjë lidhje me Aleksandrin e Madh dhe me këtë rrjedhje historike. Kanë rrënjë sllave dhe shqiptare dhe këtë e pranojnë. Që do të thotë nëse kemi përcaktim shtesë para emrit Maqedoni është fitore e madhe dhe më e madhe do të ishte nëse merremi vesh se Maqedonia jonë është ajo që vjen nga tradita e lashtë e botës antike”.

Ndërsa më tej, kryeministri grek shton se nuk mendon se populli në Maqedoni nuk ka traditë dhe pasuri kulturore. Ndërkohë, komentet e tij vijnë në një kohë kur duket se kanë ngecur bisedimet mes Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e kontestit të emrit. Aktualisht në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara zhvillohet një raund i ri negociatash me ndërmjetësuesin e OKB-së, Matthew Nimetz./abcnews.al