Anulimi i takimit Trump-Kim, bota e zhgënjyer

schedule22:35 - 24 Maj, 2018

schedule 22:35 - 24 Maj, 2018

Në reagimin e parë pas anulimit të takimit me Kim, Presidenti Trump i ka bërë thirrje Koresë së Veriut që të kapë shansin e momentit, ndërsa ka paralajmëruar se SHBA janë gati për gjithçka. Ndërkohë, Perëndimi dhe aleatët aziatikë të Uashingtonit janë shprehur të zhgënjyer nga ky vendim.

Pak orë pasi njoftoi anulimin e takimit me liderin koreano-verior, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se vendimi i tij dëmton vetëm Korenë e Veriut. Në një deklaratë për mediat, Trump ka thënë se vendi aziatik ka përpara një shans, por nga ana tjetër ka paralajmëruar se në ditët në vazhdim mund të ndodhin shumë gjëra.

“Besoj se Kim dëshiron të bëjë gjënë e duhur. Dialogu funksionoi deri më sot. Shpresoj që ata të kapin shansin e momentit”, ka thënë Trump.

Presidenti ka bërë me dije se është konsultuar me sekretarin e Mbrojtjes dhe vendet aleate dhe ka shtuar se, të gjithë ata janë gati nëse Korea e Veriut bën ndonjë marrëzi.

“Jam optimist se mund të marrim vendime pozitive, por në rast të kundërt jemi gati më shumë se ç’kemi qenë ndonjëherë”, ka shtuar Trump.

Ndërkohë, bota ka mbetur e zhgënjyer nga vendimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti koreano-jugor Moon Jae-in është shprehur i shqetësuar dhe i keqardhur në të njëjtën kohë. Ai ka deklaruar se Trump dhe Kim duhet të takohen dhe ka shtuar se çarmatimi bërthamor i gadishullit Korean nuk duhet të vonojë.

Në Britani, një zëdhënës i kryeministres Theresa May ka deklaruar se Mbretëria është e zhgënjyer nga anulimi i takimit. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka ftuar palët për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike.

“Ajo që u kërkoj palëve janë nerva të çelikta për të vijuar dialogun dhe për të arritur objektivin tonë të përbashkët, çarmatimin bërthamor”, ka thënë Guterres./abcnews.al