Kryeministri Edi Rama pret që numri i turistëve të cilët do të vizitojnë Shqipërinë këtë sezon t’i kalojë 5 milionë që ishin vitin e shkuar. Për t’i mirëpritur, qeveria ka ndërmarrë projektin “Smile Albania”, pjesë e të cilit janë 1 mijë të rinj.
1 mijë të rinj do të jenë ata që do të mirëpresin turistët që do të vizitojnë Shqipërinë këtë vit në pikat kufitare, në zonat bregdetare dhe ato të mbrojtura. Projekti nis më 24 Maj dhe do të vijojë deri në muajin Gusht. Kryeministri Edi Rama shpjegoi detaje të tij.
Edi Rama: “Ata do të ushtrojnë për 2 muajt më intensivë të sezonit, Korrikun dhe Gushtin, një aktivitet të vazhdueshëm, jo vetëm për të çuar buzëqeshjen dhe bashkë me buzëqeshjen, edhe informacionet e nevojshme tek turistët, por edhe për të promovuar ndjeshmërinë në mbrojtjen e plazheve nga papastërtia”.
Kryeministri tregon se tre muajt e parë të këtij viti numri i atyre që kanë vizituar vendin tonë është 12% më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, kjo ia rrit prishtshmëritë për sezonin turistik.
Edi Rama: “Nëse vitin e shkuar arritëm të prekim tavanin e 5 milionë turistëve. Jemi të bindur se këtë vit, jo vetëm falë të dhënave që kemi marrë nga të gjitha agjencitë dhe operatorët turistikë, por edhe si rezultat i një pranie shumë më të madhe pozitive të Shqipërisë dhe të qyteteve të ndryshme të saj në faqet e reklamave dhe të promovimit të turizmit nëpër botë, me siguri do të marrim një rezultat ende më të mirë se ai i vitit të kaluar dhe me siguri, impakti i turizmit në ekonomi do të jetë ende më i fortë, sesa ai i vitit të kaluar”.
Ndërkohë shefi i qeverisë garanton:
Edi Rama: “Ta themi me plot gojën që do të jetë sezoni më i pastër, sezoni më i sigurt dhe sezoni me volumin më të madh të mundësive për argëtim dhe për aktivitete alternative, përveç plazhit dhe rërës”.
Ministria e Mjedisit dhe Turizmit zgjodhi 24 Majin për të prezantuar projektin “Smile Albania” pasi përkon me gjashtë mujorin e një tjetër nisme, atë “Pastrojmë Shqipërinë që duam”, ku u angazhuan rreth 20 mijë vullnetarë. Ministri Klosi ndan disa rezultate të aksionit të pastrimit.
Blendi Klosi: “32 gurore të mbyllura në Berat e Urën Vajgurore, do vijojmë me malin e Krujës. Në Tiranë verifikum 98 pika skrapi. I kemi shkuar në themel një problemi të vështirë. Ka nisur ndërhyrja në 180 pika vendgrumbullimi të evidentuara. Aksioni për ujërat e zeza nis me 1 Qershor. Do pezullohet çdo aktivitet që nuk plotëson kushtet. Muzika e lartë do jetë e ndaluar ku nuk ka leje”.
Shqipëria, sipas ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, nuk është e ndotur, por menaxhohet keq, arsye kjo që ka detyruar ndryshimin e 15 paketave ligjore. Këtu kërkohet dhe bashkëpunimi i qytetarëve të cilët, kryeministri i ndan në antikombëtaë e patriotë.
Edi Rama: “Ne harrojmë që hapi i parë, çdo ditë, i gjithkujt që është një patriot i mirë është që të jetë edhe mbrojtësi i mjedisit të përbashkët nga pisllëku që ai vetë krijon.”/abcnews.al